Aktivistja ngre pikëpyetje për standardet e dyfishta në politikën kosovare dhe mbron vazhdimin e reformave brenda LDK-së.
Aktivistja Zana Avdiu ka reaguar lidhur me thirrjet për dorëheqjen e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe selektive. Ajo ka përmendur një sërë shembujsh nga skena politike kosovare për të argumentuar se humbjet në zgjedhje nuk kanë qenë kurrë arsye për dorëheqje të liderëve të partive.
Sipas Avdiut, ish-presidenti Hashim Thaçi i ka humbur zgjedhjet tri herë radhazi në vitet 2000, 2001 dhe 2004, por ka arritur të fitojë vetëm pas vdekjes së Ibrahim Rugovës dhe ndarjes së LDK-së. Po ashtu, Fatmir Sejdiu ka humbur zgjedhjet në vitin 2007, ndërsa Isa Mustafa ka pësuar humbje në zgjedhjet e viteve 2010 dhe 2014, si dhe në garën për kryetar të Prishtinës.
Ajo përmendi edhe liderë të tjerë politikë, si Albin Kurti, i cili ka humbur zgjedhjet në vitet 2010, 2014 dhe 2017, Ramush Haradinaj që, sipas saj, ka humbur në çdo palë zgjedhje, si dhe Kadri Veselin, i cili në vitin 2019 doli i treti në zgjedhje. Ashtu kryetari aktual i PDK-së, Bedri Hamza.
“Nëse këtyre liderëve nuk iu kërkua dorëheqja pas humbjeve të njëpasnjëshme, pse po kërkohet vetëm nga Lumir Abdixhiku?”, ka pyetur Avdiu, duke e cilësuar këtë si standard të dyfishtë në politikën kosovare.
Në fund, aktivistja theksoi se Lumir Abdixhiku duhet të vazhdojë procesin e reformave brenda LDK-së, duke shtuar se ndryshimet kërkojnë kohë dhe qëndrueshmëri në udhëheqje. Ajo vlerësoi se presioni për dorëheqje nuk i shërben as partisë dhe as zhvillimit demokratik në vend.