Komentatori, Milaim Zeka në emisionin “Politiko” ka folur rreth deklaratës së Ridvan Berishës të dhënë dje në Kanal10 ku kishte aluduar se ka informacione se Presidentja është përfshirë në rastin e lirimit të policit Pantiq, duke treguar edhe se si ai ishte burgosur për një deklaratë të tij në media më parë.
Zeka ka treguar se bëhej fjalë për deklaratën e tij lidhur me rastin e vizave ku kishte thënë ai do t’i shkojë punës me ligj e kanun.
“Për një llaf goje në studio televizive jam arrestuar. Si deputet, që është institucioni më i lartë i këtij vendi që është parlamenti. Për një llaf goje veç se kam thënë se ata që qëndrojnë prapa montimit të rastit të vizave për mua, unë kam thënë se kam me i shku deri në fund kësaj pune me ligj e kanun. Pesë ditë jam mbajtur në paraburgim. Ka ndërhyrë politika.”, ka thënë ai.
Zeka ka thënë poashtu se gazetari Berisha ndoshta ka burime të informacionit nga vetë prokurori i rastit, raporton Gazeta10.
“Mbase Berisha e ka informacionin ngaqë prokurori i këtij rasti vjen nga Gjilani, ndoshta ka informacione nga prokurori. Unë e di emrin dhe mbiemrin e rastit, Afrim Shefiku. Ndoshta e ka njeri informacionin, sepse duke qenë kaq i sigurt, Ridvani po besoj që ka informacion, nëse s’ka informacion duhet me ditë që ka akuzuar kreun e shtetit dhe përpara gjykatës ka me zbuluar burimin ose do të hyjë në burg.”, ka deklaruar Zeka.
Tutje, Zeka ka pasur një kundërshtim nga Matoshi i cili i tha se asnjë gjykatë në Kosovë nuk mundet t’i pyet gazetarët për burime përveç situatave të sigurisë së lartë nacionale si terrorizimi dhe parandalimi i vrasjeve, ku ata janë të detyruar të tregojnë burimet e tyre.