Shkruan Armend Zemaj
Zoti na ndihmoftë nga paaftësia e kësaj Qeverie!
Kjo Qeveri i ka prodhuar 3 ministra të shëndetësisë për dy vjet, përfshirë Kurtin si të vetëemëruar e të vetëvendosur për ta drejtuar sektorin e shëndetësisë. Kjo Qeveri ka arritur kulmin e dëmtimit të këtij sektori jetik.
Rasti i supozuar për foshnjën e pajetë që pretendohet se është futur në rrobalarëse me çarçafë në Spitalin e Pejës, i ka kaluar të gjitha limitet; është tepër i rëndë, është i frikshëm, është kulmi i krimit, ndërsa fshehja e rastit nga vartësit e pushtetit përgjegjës është super krim.
Mësohet se për këtë rast tragjik, Spitali i Pejës e ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, mirëpo këta të fundit për tetë ditë me radhë e kanë fshehur këtë rast të tmerrshëm, duke u bërë kështu edhe bashkëpjesëmarrës në këtë krim të supozuar.
Prandaj, duhet të shkarkohen e të dënohen menjëherë të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë krim të supozuar, përfshirë ata që e kanë fshehur këtë ngjarje të tmerrshme e të paprecedent.
Fatkeqësisht, u faktua ajo që kisha thënë para disa kohe, se vetëm Kurti është më i dobët dhe më i dëmshëm se ministrat e tij të shëndetësisë.
Kryeministri Kurti është i pari që duhet ta shkarkojë vetën nga pozita e drejtuesit të shëndetësisë, sepse rasti i foshnjës në Pejë, është skandali më tragjik i mundshëm.
Kryeministër, pas këtij dështimit tënd të faktuar, së paku mundohu të emërosh një ministër të Shëndetësisë tjetër sa më parë. Ndonëse, tashmë edhe kërkesat ndaj jush i kemi më të bazuara: ai apo ajo ministre e mundshme duhet që:
së paku të mos ta dëmtoj më tej shëndetin e qytetarëve,
së paku mos të investoj më tej në ikjen e mjekëve dhe profesionistëve shëndetësor nga vendi,
së paku mos t’i lë pacientët pa marrë shërbimet shëndetësore si pasoj e mungesës së mjekëve dhe barnave,
dhe assesi që të lejoj të ndodh apo të tentoj të fsheh ndonjë krim eventual.
Se paaftësia qeverisëse dëmton rëndë shëndetin, ne e kemi thënë me kohë.
Mirëpo, rasti i foshnjës shkon përtej, sepse është tentuar të fshehët krimi nga përgjegjësit që janë në vartësi të këtij pushteti të paaftë.
Dorëheqja e këtyre përgjegjësve është e vonshme; shkarkimi i tyre është i domosdoshëm, ndërsa dënimi i merituar e i bazuar në ligj duhet të jetë i pashmangshëm.
Mos të harrojmë se jo shumë ditë nga sot, në duar të shtetit që menaxhohet nga ky pushtet i paaftë, u vra edhe një nënë e cila prite që ta sillte fëmijën e saj në jetë.
Se çmimi i paaftësisë qeverisëse është bërë i papërballueshëm edhe në sektorin e shëndetësisë është tepër evident.
Zoti na ndihmoftë nga paaftësia e kësaj Qeverie!