Lajme

Zeqiraj: Organet e drejtësisë ta adresojnë fajësinë ke ish-pushtetarët, për katërfishimin e numrit të veteranëve!

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:59 / 2 September 2023

Vazhdimi i mëtejmë i pagesës paushalle, të shumë mijëra “veteranëve” të rremë, është abuzimi dhe krimi më i madh zyrtar. Sipas një llogarie të bërë nga gazetari hulumtues, Faton Mehmetaj, rezulton se: “Vetëm për 6 muajt e parë të çdo viti, veteranët kanë shpenzuar 38 milionë e 435 mijë e 385 euro nga buxheti i shtetit!” Dhe, kjo është përgjegjësi e qeverisë aktuale. Ndërprerja e menjëhershme të komplet pagesave të veteranëve, është e domosdoshme, duke i dhënë fund shpërdorimit të miliona eurove.

Prokuroria dhe gjykata, më parë se të merren me 4 veteranë, të pretenduar si të rremë, vite më parë dhe 40 “veteranët” e penalizuar më vonë, papërfunduar asnjë proces gjyqësor, deri tani, duhet të akuzojë, penalizojë, protagonistët e kësaj ploje, gjakderdhje financiare. Ligji për statutin e veteranëve, është bazë e të gjithë kësaj marrëzie, që ka dëmtuar dhe vazhdon ta dëmtojë buxhetin e Kosovës. Mbi të gjitha, është ligj i menduar dhe i zbatuar, poshtërsisht e kriminalisht, gjithnjë me qëllime përfituese personale e grupore, dhe vetëdijshëm, për zhvatjen e buxhetit të Kosovës, pasurimin e disa komandatëve e partiakëve dhe krijimin e klientelës elektorale partiake.

Prokuroria dhe gjykata, pas aktit të parë të ndërprerjes të pensioneve aktuale për “veteranët”, duhet të kërkojë llogari nga:

1) Hartuesit e ligjit për statutin e ligjit për -Veteranët-, është skandaloz! Sepse, veteran është vetëm luftëtari i dëshmuar në fushë-betejë. Për kategoritë tjera, ka shpërblime honororike, nderuese dhe assesi materiale;

2) Komandantët lokal dhe zonal, të cilët dhanë “Dëshminë e Veteranit” të pamerituar;

3) Komisionit për verifikimin e listave emërore të veteranëve, i përbërë vetëm nga PAN-i;

4) Hashim Thaçit, i cili aprovoi ligjin për pagesat, në mënyrë paushalle;

5) Agim Çekut, Për mercenarizimin e popullit: “Kushdo q i ka dhënë një gotë ujë ushtarit, është veteran!” Ndërkohë që mbrojtja e Atdheut është detyrë obliguese dhe morale e çdo shtetasi;

6) Isa Mustafës, për fillimin e pagesës të “veteranëve”, pa i verifikuar listat emërore të tyre;

7) Ramush Haradinajt, i cili i kthei, sërishmi, në listën e “veteranëve” 19.500  syrësh, të hequr nga lista nga prokurori me integritet, Elez Blakaj. Haradinaj vazhdon ta mbajë peng pastrimin e listave nga “veteranët” e rremë;

8) Albin Kurtit, për tolerancën e skajshme, të abuzimit, hajnisë legale të buxhetit të shtetit, me  pagesën e mijëra “veteranëve” të rrejshëm. Ai duhet të ngulmojë që Parlamenti i Kosovës të ndërpresë komplet pagesat, deri në pastrimin nga lista të veteranëve të rrejshëm.

Përndryshe, vazhdimi i marrjës me 40.000 “veteranët” e rrejshëm, me tendencën për t`u bërë 50.000, nga Prokuroria dhe Gjykata vendore, do të ishte bjerrje kohe, pa kurrë zgjidhje. Është koha të merren me ish-shtetarët, pushtetarët dhe zyrtarët e tyre, të angazhuar me çështjen e veteranëve. Dhe, të cituarit në renditjen nga numri 1 deri në 8, me pak përjashtime, janë milionerë dhe disa edhe multi-milionerë. Andaj, përveç penalizimit ligjor, duhet edhe ta dëmshpërblejnë shtetin e Kosovës, duke inkasuar në buxhetin shtetëror, shumat milionshe të shpenzuara për “veteranët” e rrejshëm.

Ligji duhet t`i obligojë t`i kthejnë pensionet e pamerituara edhe “veteranët” zhvatës, të cilët janë të pasur. Kur verifikimi i veteranëve të mirëfilltë, të jetë bërë, ata do të kompensohen me pensionet edhe për kohën e pagesës së ndërprerë. Për rastet akute, që janë në vartësi të kuotës aktuale prej 170 euro, Institucioni social i Kosovës duhet ta marrë përsipër financimin e nevojshëm. Pas zgjidhjes përfundimtare të statutit të veteranit, pensioni duhet të ngritet në kuotën e dinjitetshme dhe të mos këtë asnjë lidhje me -pagën minimale-. Ligji dhe vullneti i mirë i pushtetit qeverisës, i zgjidhë të gjitha problemet e qytetarëve, në veçanti, të atyre -të kategorisë të lirisë-, siç janë luftëtarët, veteranë të vërtetë të Atdheut-Kosovë.