Lajme

Zeqiraj: Sanksionimi arbitrar i Kosovës, në vend të Serbisë!

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
4:07 / 5 September 2023

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Kosova, padrejtësisht dhe arbitrarisht, u sanksionua me masa ndëshkuese politike dhe ekonomike! Ndërsa Serbia “e kaloi lumin pa u lagur!” BE-ja nuk u merakos as për kidnapimin e policëve shqiptarë, nga banda zyrtare serbe, brenda territorit të Kosovës. Dhe, përveç fjalëve, nuk ndërmori asnjë masë kundër Serbisë. Pas reagimit të botës demokratike, BE-ja, ndërkombëtarët, “sa për sy e faqe”, bënë disa vërejtje, më shumë qortuese, se sa kërcënuese ndaj Serbisë!

Edhe pse qeveria e Kosovës bëri disa hapa domëthënës, për de-përshkallëzimin e situatës, BE-ja “po e konsideron se kjo nuk mjafton për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës!” Ajo prsëritë slloganin klishe se “nevojitën hapa të mëtejshëm”, pa emërtuar ndonjë syrësh. Ndërsa amerikanët ngulmojnë në bërjen e Asociacionit, duke e përsëritur mënyrën e bërjes, konformë Kushtetutës të Kosovës. Por, Escobar i referohet edhe Marrëveshjes fatale të vitit 2013, të bërë nga i shantazhuari me dosje faktike të krimeve, ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë, Hashim Thaçi.

Ambasadori Hovenier, fort i merakosur për Asociacionin, ngushëllon shqiptarët me garancitë, se nuk do të përseritet rasti boshnjak i fashistit Dodik. Por, nuk përmend garancinë e shpërfillur të ambasadorit Hill, për krijimin e Asociacionit të 14 komunave me shumicë serbe të Bosnje Hercegovinës dhe as pendesën e tij të madhe, pse e bëri atë, përkatësisht, “Republika Srpska” dhe pasojat fatale të kësaj krijese monstrume, e cila ka paralizuar “shtetin” boshnjak!? Emisarët vijnë e shkojnë, por tragjikja mbetet dhe atë e vuan populli, që kurrë nuk e gëzoi ëndrrën e lirisë të mirëfilltë.

Dëshpërues është fakti se ndërkombëtarët i dinë qëllimet ngulmuese të Serbisë, për Asociacionin, arritjen e autonomisë territoriale për serbët e Kosovës, me synimin final, aneksimin e veriut të Kosovës. Dhe, megjithatë e heshtin fatalitetin e pritshëm për Kosovën hallemadhe!?

Vendimi i qeverisë të Kosovës, për vendosjen e kryetarëve të zgjedhur ligjërisht, në zyrat komunale shtetërore, ka qenë imponues. Sepse, -Lista Serbe- përgaditej për pushtimin e këtyre zyrave, edhe pse vullnetarisht e qëllimshëm, me udhër të Beogradit, i kishte braktisur. Trajtimi i njëanshëm, semplist, i thjeshtë, madje i neveritshëm, i ndërkombëtarëve të veprimeve të ligjshme të qeverisë të Kosovës, ishte thikë pas shpinës për Kosovën, sepse trimëroi Listën Serbe dhe bandat e saj.