Lajme

Zeqiraj: Vuҫiq citon Haxhiun, Buzhalen, Molliqajn e të tjerë dhe parashtron kërkesa për Kosovën

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
8:42 / 20 September 2024

Publicisti dhe veprimtari i LDK-së në Gjermani, Idriz Zeqiraj, në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se, në mediat serbe më shumë se një herë është thënë se “ne serbët kemi vrarë një mbret, një kryeministër, tani e ka radhën një president!” Vrasja e politikanëve opozitarë Stamboliç, Oliver Jovanoviq dhe të tjerë, është shantazhim dhe kërcënim për presidentin Vuçiq. Rusia është përkujdesur, mjaftueshëm, për të dërguar shumë mijëra rusë në Serbi, të cilët, tashmë, janë sistemuar me punë dhe jetesë të rehatshme

“Kontigjenti rus në Serbi është parë shumë aktiv, në raste të demonstrimeve politike në mbështetje të politikanëve pro-Rusisë. Ngritja në poste të larta të dy besnikëve të Putinit, Aleksander Vulin dhe Millosh Vuçeviq, është imponim i Moskës zyrtare, e cila donë ta përdorë Serbinë për provokime, deri në incidente të armatosura me fqinjët, në rastin konkret edhe me Kosovën”, vlerëson Zeqiraj.

Ai thotë se, deklarimet e presidentit, kryeministrit dhe të zyrtarëve të lartë serbë, kundër Kosovës, janë luftënxitëse dhe destabilizuese. Megjithatë, gjasat për një konflikt të ngjashëm me atë të Banjskës apo të një përmase më të madhe, nuk janë të mundshme.

Idriz Zeqiraj

“Sepse KFOR-i është këtu për të mbrojtur kufinjtë e Kosovës dhe nuk do të lejojë vatër zjarri në Ballkan, për çka është shumë e interesuar armikja Rusi. Edhe Forca e Sigurisë të Kosovës vazhdon të forcohet, për të qenë në gadishmëri të mbrojtjes të territorit të Atdheut tonë Kosovë. Shtetarët dhe pushtetarët e Kosovës, respektivisht, presidentja Vjosë Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca, kryeministri Albin Kurti, zëvendëskryeministrja dhe ministerja e Jashtme dhe e Diasporës, Donikë Gërvalla, ishin të një mendjeje dhe të njëzëshëm, në përgjigjen e drejtëpërdrejtë dhe dinjitoze të dhënë presidentit serb, Aleksander Vuçiq, se masat dhe kërkesat provokative, luftënxitëse, kërcënuese dhe ultimative, nuk na trembin dhe as nuk na lëkundin në mbrojtjen e tërësisë territoriale, ligjshmërisë dhe të kushtetueshmërisë të Atdheut tonë – Kosovë, për të jetuar të lirë dhe në harmoni me komunitetet tjera, që gëzojnë të gjitha liritë dhe të drejtat, si askund tjetër, jo vetëm në Ballkan, por as më tej në botë. Tashmë, është pranuar botërisht, se Kosova është shteti me demokracinë më të konsoliduar në rajon dhe më gjerë”, thekson ai.

Ai thotë se, departamenti i Shtetit Amerikan, këtë herë, u distancua hapur nga BE-ja, e cila tha se i mirëpret kërkesat e Vuçiqit. Përkundër DASH (amerikan), ishte i drejtëpërdrejtë, qartazi dhe prerazi, në përgjigjen e përflakshme, dhënë zëdhënësit të Millosheviqit, presidentit serb, Aleksander Vuçiq: “Kosova është shtet sovran, i pavarur dhe multietnik, të cilin ne duam ta shohim tërësisht të integruar në strukturat euro-atlantike dhe ndërkombëtare”. Ky qëndrim, shumë miqësor, gëzon dhe forcon të gjithë shqiptarët e përbotshëm. Në vazhdim të deklaratës të DASH, porosia dhe qortimi për Serbinë është i lexueshëm. Kosova ka qenë dhe mbetet gjithmonë mirënjohëse Amerikës mike. Sepse “shtëpia pa miq nuk mbahet”, është porosia-amanet e shtet-bërësit të Kosovës, Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.

“Për një çerek-shekulli Kosova vazhdon të jetë në krizën e krijuar, nga ish-pushtetarët e shantazhuar me dosjet e krimeve faktike, të bëra, gjatë dhe pas luftës, me qëllim të marrjes së pushtetit me dhunë, sipas metodës të kopjuar nga lakeu stalinist Enver Hoxha. Sigurimsat e monizmit hoxhist ushtronin bandat vrastare politike të LPK-së, alias PAN-it të sotëm. Ndërkohë, administrata e UNMIK-ut, përkatësisht, sistemi i drejtësisë, u rrënua dhe bandat kriminale vrisnin kundërshtarët politikë. UNMIK-u që kontrollonte drejtësinë, respektivisht, Prokuroritë dhe Gjykatat, i arrestonte, hetonte dhe i zbulonte kriminelët. Për habi, ose i lironte, ose i dënonte, krejt simbolikisht, sikur të ishin grushtime në mes adoleshentëve dhe jo vrasje të cilësuara: si ushtarakët luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës; kuadrot dhe aktivistët e LDK-së; gazetarët-korrespondentë të luftës; madje edhe kuadro të hershëm të LPK-së, për ta shmangur konkurrencën, në pritje të marrjes së dhunshme të pushtetit të përgjakur”, vlerëson ai.

Tutje, veprimtari Zeqiraj thekson se, ‘edhe disa kuadro të UNMIK-ut, të ngarkuar me çështjen juridike, drejtësinë në atë kohë, u korruptuan me paratë e Fondeve të Mërgatës, nga shefat e LPK-së, alias Qeveria e Përkohshme, e kompozuar nga krerët social-komunistë të Tiranës zyrtare, të cilët, një vit para luftës kishin përkallur e shkatërruar shtetin shqiptar, për ta marrë pushtetin përgjakshëm. Pasurimi korruptiv, hajnor i eksponentëve të Qeverisë së Përkohshme, përgjatë procesit të privatizimeve, si dhe milionat të marrë, dhunshëm, nga Fondi “Vendlindja thërret” dhe Fondi shtetëror i 3 %-shit, i bëri multi-milionerë “komandantët”, në emër të luftës së pabërë’.

“Opozita e frustruar nga sondazhet, tashmë, ka humbur torruan, arsyen dhe kundërshton të gjitha nismat sovraniste të qeverisë, duke thënë se “ontegrimi i serbëve të veriut nuk bëhet me policinë, por me dialog me komunitetin serb të veriut”. Ndërkohë, për dy dekada radhazi PAN-i, respektivisht, PDK-AAK-NISMA, ka zhvilluar një makro-kontrabandë me bandat e veriut. Serbia, me agjentët e saj në Kosovë, favorizoi këtë kontrabandë, sepse në kupolë të saj ishin disa “komandantë”, përkatësisht, krye-politikanët e PAN-it në Kosovë, tashmë, të shantazhuar me dosje krimesh vrastare dhe të hajnisë zyrtare, të cilat i posedonte Serbia dhe UNMIK-u, EULEX-i, Quinti, ndërkombëtarët, përmes shërbimeve informative të tyre, sepse vrasjet politike në Kosovë kanë qenë një e “fshehtë publike”. Presidenti serb, Aleksander Vuçiq, po i shfrytëzon akuzat, të cilat opozita shqiptare ia bënë pozitës, se, gjoja, po përdorë masa policore kundër komunitetit serb në veri. Këto akuza brenda-shqiptare e trimërojnë Vuçiqin, për të lansuar 5 (pesë) masat dhe 7 (shtatë) kërkesat banditeske dhe idioteske, si kushtëzim për vazhdimin e dialogut me Kosovën. Vuçiq i citon me emra gazetarët dhe analistët, aleatë të tij, si: Baton Haxhiun, Berat Buzhalën, Halil Matoshin, Ilir Mirenën, Dukagjin Goranin, Dardan Molliqaj dhe të tjerë”, vlerëson ai.

Poashtu, Zeqiraj thekson se pushtetarët kontrabandistë të PAN-i, për ta vazhduar kontrabandën e tyre shpengueshëm, me bandat e veriut të Vuçiqit dhe të Radojçiqit me shokë, favorizoi izolimi, shkëputja e qëllimshme në mes veriu dhe jugut të Mitrovicës.

“Qeveritë paraprake, nuk bënë asnjë përpjekje, për integrimin e serbëve të veriut. Në këtë gjendje e gjeti Qeveria e Kurtit veriun e Kosovës. Andaj, Kurti dështoi në premtimin e tij, për integrimin e serbëve në veri, pasi për dy dekada radhazi ishte korracuar shkëputja e komunikimit normal jug-veri. Pra, ish-pushtetarët pasi u pajtuan me vrasjen e një duzinë dhe shpërnguljen e mijëra shqiptarëve të tjerë, tani, duke qenë të shantazhuar me dosje, thelluan krimin, në përpjekje për ta “shpëtuar lëkurën e tyre”, duke u vënë në shërbim të Serbisë, qoftë edhe me dhurim të pasurive të brezave shqiptarë! Për çudë, elitarët e kontrabandës të palës serbe në veriun e Kosovës, u ndëshkuan nga DASH i Amerikës me – non grata -, ndërsa nga pala shqiptare veç sa u denoncuan pushtetarët shqiptarë në jug, por u kursyen emrat dhe ndëshkimi i tyre!? Kjo ngjalli dyshime dhe pakënaqësi – njëherësh! Janë këta eksponentë të krimit vrastar dhe hajnor të partive-banda PAN-iste, të cilët me akuza shpifëse e monstrume sulmojnë opozitën e sotme. Rrjedhimisht, po dëshmohet porosia e Presidentit Rugova, për të mos lejuar ngritjen në postet e larta zyrtare të kuadrove të shantazhuar, po rezulton e saktë. Shqiptarët e Kosovës, pas shekuj robërie, të tmerruar nga vrasjet politike, “heshtën si peshku”, duke mos bërë “as lavrën e miut”, për të reaguar karshi krimit dhe kriminelëve! Pasojat vazhdojnë t`i vuajnë, sot e gjithë ditën, shqiptarë”, nënvizoi Zeqiraj për ‘Bota sot”.