Nga IDRIZ ZEQIRAJ
Përtej një dekade, ish-negociatorët dialoguan për çështje politike, por shqiptarët i mashtronin se po dialogojmë vetëm për çështje teknike! Të njëjtit, sot, ankohen se nuk ka transparencë nga negociatorët për dialogun në Bruksel!? Gënjeshtër e radhës. Ajo që duhet ta dijë opinioni është thënë në konferencat për medie dhe lajme tjera.
Bën përshtypje se janë, pikërisht, ata që me pazaret e pista, me çmimin e nënshkrimeve, me elemente të bollshme të tradhtisë kombëtare, sot janë më të zëshmit në kritika, bile, edhe akuza ndaj Kurtit dhe ekipit të tij. Në vend që të japin llogari, pse ata u bënë argatë të Hashim Thaçit, në përpjekjet e tij të dështuara, për t`i shpëtuar drejtësisë, për krimet serike, ndaj shqiptarëve të pafajshëm, të kryera nga bandat e tij të uniformuara me siglën e UÇK-së, ata hidhën në sulm, sikur nuk ka ndodhur asgjë, pse qenkan vrarë shumë qindra ushtarakë luftëbërës; veprimtarë e luftëtarë për liri të LDK-së; gazetarë dhe idealistë veteranë të LPK-së.
Shqiptarët janë gërditur nga ish-negociatorët puthadorë e vasalë dhe shefat e tyre partiakë. Sa herë ktheheshin nga Brukseli, nga një gjëmë sillnin për Kosovën! Andaj, krrokama e tyre e sotme, kundër dialoguesëve aktualë, gjoja, joparimore e mashtruese, është “lehje në hënë”! Fundja, Kurti me ekipin e tij, po përballën me nënshkrimet, sa idioteske, aq edhe kriminale të ish-negociatorëve: 2.500 hektarë tokë të dhuruara FYROM-it; Demarkacioni me 8.200 hektarë tokë dhënë Malit të Zi; vendimi për 24 hektarë tokë të falura Manastirit të Deçanit, e deri ke Asociacioni fatal për Kosovën, janë nënshkrime kriminale të negociatorëve të Hashim Thaçit, me bandën e tij pushtetare partiake dhe koalicionin patericë e bisht të PDK-së, përkatësisht, PAN-it.
Akuzat të stisura dhe të shpifura, gjithë mëri e vrerë, për Kurtin dhe ekipin e tij, se, gjoja, ra në kurthën e Vuçiqit; në grackën e Borrellit, tashmë, janë demantuar me fund.