Lajme

Abdixhiku: Kurti lajm në media ndërkombëtare për luftë, e jo për investime

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
5:25 / 8 August 2022

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po përmendet në media ndërkombëtare për luftë e jo për investime.

“Kurti flet për luftë. Ky është lajmi i mediave ndërkombëtare për Kosovën sot. Jo për investime, jo për integrime, por për luftë në Kosovë. Kaq për mesazhin tonë nëpër botë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Dhe kështu, me mjeshtërinë e sherrit të një axhamie, ai arriti t’i bëjë konkurrencë të fortë lajmeve të mira që vera kulturore e Prishtinës dhe Kosovës ka prodhuar në po të njëjtat media tash e sa kohë”.

“Ky njeri e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin tek paniku. Sikurse Vuçiqi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshtarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?!”

Sipas Abdixhikut, as njëmijë figura si Dua Lipa nuk i ndimojnë imazhit të Kosovës të cilin po ia krijon Kurti.

“Pyesni sot kompanitë kosovare se çfarë mesazhe marrin nga bashkëpunimet e tyre nëpër botë. Cili i marrë investon në një shtet kryeministri i të cilit paralajmëron luftë? Njëmijë Dua Lipa s’bëjnë punë më”.

“Kosovës i duhet stabilitet dhe zhvillim. Shteti ynë përveç sigurisë vetanake ka dhe aleancën më të madhe ushtarke, atë të NATO-s, që garanton sigurinë tonë territoriale ndaj çdo agresioni të mundshëm. Kjo është e vërteta jonë; dhe këtë të vërretë duhet ta ushqejmë çdo ditë – duke forcuar veten në siguri e duke përforcuar aleancën me NATO-n si synim historik. Paniku ndërkombëtar rreth Kosovës së luftës e krizës e destabilitetit është interes veç i Vuçiqit e i Serbisë”.