Lajme

Eurodeputeti holandez: Grupi i armatosur e kishte mbështetjen e Serbisë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
6:57 / 3 October 2023

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, konsideron se operacioni i grupit të armatosur në Banjskë ishte i mbështetur nga Serbia. Sipas tij, synimi i sulmuesve ishte që të destabilizohej veriun e Kosovës.

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, mbeti i shokuar me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Reuten vlerëson se ky operacion u mbështet nga Serbia, ndërsa thotë se synimi i grupit të armatosur ishte që të destabilizohej veriu i Kosovës.

Politikani holandez konsideron se të gjithë ata që janë përgjegjës për këtë aksion duhet të sillen para drejtësisë.

“Ajo çfarë ndodhi me 24 shtator ku u sulmua Policia e Kosovës na ka shokuar të gjithëve. Tani dëshmitë po tregojnë se grupi i armatosur kishte mbështetje brenda Serbisë për ta kryer këtë operacion. Duket qartë se objektivi i tyre ka qenë që ta mbajnë gjendjen e trazuar në veriun e Kosovës. Përgjegjësit kryesor të këtij aksioni duhet të sillen urgjentisht para drejtësisë dhe duhet të marrin ndëshkimin e merituar. Tani mbetet të shihet se si do të veprojë qeveria e Serbisë, a do të jenë ata bashkëpunues për të zbardhur gjithçka çfarë ndodhi më 24 shtator”, u shpreh Thijs Reuten.

Reuten i bënë thirrje Serbisë që ta kuptojë realitetin dhe ta pranoj se Kosova është shtet i lirë dhe i pavarur.

Sipas tij çdo tendencë për ta destabilizuar Kosovën do të dështoj sikurse me 24 shtator.

“Problemi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Veçanërisht Serbia duhet ta kuptojë se nuk mund të vazhdojë më këtë në formë duke synuar ta destabilizojë Kosovën sepse nuk do të funksionojë. Ata duhet ta kuptojnë se Kosova është një shtet i pavarur i lirë dhe demokratik që vendos vetë se me kë të krijoj aleanca dhe cilën rrugë ta zgjedhë. E shoh si të domosdoshme që të ndryshoj formati aktual i dialogut sepse është nduke ngecur. Duhet një qasje e re e BE-së dhe një bashkëpunim i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Reuten.

Përgjegjësinë për sulmet në Banjskë e ka marrë ish-nënkryetar i Listës Serbe Milan Radoiçiq.

Sulmin ndaj policisë së Kosovës e kanë dënuar ashpër Bashkimi Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.