Lajme

Berisha: Shqipëria mund të jetë befasia e Evropianit

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
11:50 / 19 November 2023

Etrit Berisha ishte në portë kur Kombëtarja e Shqipërisë e pati shënuar fitoren më të madhe në histori të saj.

Më 19 qershor të vitit 2016, Shqipëria e mposhti me rezultat 1:0 Rumanisë në “Euro 2016”. Paraqitja e Berishës ishte vlerësuar lart, ashtu si edhe fitorja ndaj rumunëve. Berisha pritet të jetë numri një i portës së Shqipërisë edhe në Evropianin, që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.

Etrit Berisha është prej pak lojtarëve që për herë të dytë do të paraqiten në Evropian me fanellën e Shqipërisë. Në Evropianin 2016, të cilin Shqipëria e mbylli e treta në grup me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë, ishin edhe Arlind Ajeti, Elseid Hysaj dhe Sokol Çikalleshi. Kuqezinjtë kishin humbur ndeshjet me Zvicrën dhe Francën dhe nuk kishin avancuar nga faza grupore.

Berisha thotë se vitin e ardhshëm nuk do të kënaqen me një fitore. Ai të dielën për KOHËN ka theksuar se Shqipëria mund të jetë befasia e Evropianit në Gjermani.

“Ky Evropian ka qenë për mua objektivi kryesor që kam pasur. Pra, edhe pas asaj periudhe të vështirë që kam pasur, gjëja kryesore ka qenë që të gjejë një kontinuitet me një klub të ri vetëm e vetëm që të kem mundësi të paraqitem, të jem në formë dhe të kem mundësi ta përfaqësoj vendin tim. Kjo ka ndodhur fatmirësisht dhe jam i gëzuar për zgjedhjen që kam bërë. Siç kemi bërë histori deri tash, duam të vazhdojmë. Pra nuk duhet të ndalemi assesi këtu. Kjo ka qenë një punë që e kemi kryer me shumë sukses. Kurse ne duam edhe më shumë pasi që besojmë që kemi kualitet dhe mund të bëjmë ndoshta edhe befasi në Evropian. Pra në fillim do të jetë si ambicie kalimi i grupit dhe kjo do të ishte diçka shumë e mirë për ne, për shtetin tonë, për kombin tonë, dhe pastaj t’i luajmë të gjitha shanset në ndeshjet që do të vijnë”, ka thënë Berisha.

34-vjeçari është portieri i parë i Empolit, që garon në Serie A të Italisë. Ai është nga Prishtina, ndërsa pjesë e Shqipërisë është prej vitit 2012. Berisha ka 79 paraqitje për Shqipërinë.

“Emocionet janë gjithmonë jashtëzakonisht të mëdha kur e nderon në nivelet më të larta kombin tënd. Pra, me siguri që hera e parë mbetet gjithmonë në histori dhe ka një emocion të veçantë. Mirëpo, gjithsesi, kjo hera e fundit, hera e dytë, ishte më e bukur. Në radhë të parë për dominimin ndoshta në shumicën e ndeshjeve që i kemi bërë. Dhe së dyti ishin tifozët në stadium, pra atmosferën që e bënë ata dhe stadiumi i tejmbushur në çdo lojë që kemi bërë, ka qenë një emocion jashtëzakonisht i madh”, është shprehur Berisha.

Ai është i lumtur që Shqipëria nuk ka pësuar asnjë gol në “Air Albania” në kualifikimet për “Euro 2024”.

“Në ndeshjet që kemi bërë në shtëpi ende nuk kemi pësuar gol. Kështu që është edhe një rezultat historik, apo një rekord historik që kemi bërë si Kombëtare. Pra gjithmonë kur thyen rekorde, kur bën diçka edhe më të madhe që nuk ka ndodhur më herët, me siguri që ndihesh shumë i privilegjuar dhe i nderuar. Puna që kemi bërë, sakrifica që kemi bërë, më në fund po shpërblehet”, ka theksuar shtatlarti.

Shqipëria është e para në Grupin E me 14 pikë. Prapa saj janë Çekia e Polonia, dy përfaqësuese të respektuara evropiane. Polonia ka në përbërje Robert Lewandowskin.

“Kemi pasur një grup shumë të vështirë, me Poloninë dhe Çekinë që ishte favorite. Mirëpo, gjithmonë i kemi parë mundësitë tona për shkak se kemi kualitet në ekip. Dhe me siguri nëse do të arrinim që ta bënim një grup të fortë, një grup që shkon gjithë bashkë në të njëjtin drejtim, atëherë gjërat lehtësohen shumë më shumë dhe bëhen shumë më shumë reale. Pra këtu mendoj se ka luajtur rol shumë të rëndësishëm i gjithë grupi, përfshirë edhe trajnerin, i cili i ka bërë lojtarët të ndihen të rëndësishëm. Pra të gjithë lojtarët që kanë ardhur, 23 lojtarë gjithmonë, ata janë ndier të rëndësishëm dhe kanë qenë të gatshëm për ta ndryshuar lojën. Shumicën e rasteve apo mos të them gjithherë, i kanë dhënë një dorë shumë të mirë ekipit, kur ekipi ndoshta ka qenë në vështirësi”, thotë Etrit Berisha.

Ai pret ta mbyllin me fitore ciklin kualifikues. Kuqezinjtë të hënën mbrëma i pret ndeshja kundër Ishujve Faroe.

“Po, me siguri për ne është shumë e rëndësishme që ta përfundojmë ndeshjen me Ishujt Faroe me një fitore që ta sigurojmë vendin e parë. Dhe me siguri kjo do të thotë automatikisht që nuk do t’i kemi rivale ndoshta përfaqësueset më të forta si Franca, Portugalia apo Spanja besoj. Këto janë ekipe të cilat ndoshta mund t’i shmangim. Do të jetë e bukur pasi që me siguri që ne i shikojmë rastet dhe mundësitë tona që do t’i kemi në grup, për ta kaluar grupin. Kjo do të jetë detyra jonë më e madhe në kualifikimet për Evropian”.

Berisha është prej liderëve të Kombëtares aktuale. Ai ndër të tjera paraqet vlerat e Kombëtares me angazhimin dhe sjelljet në fushë e jashtë saj.