Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Zafir Berisha, është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Por, pas lirimit ai tha se nuk është e vërtetë që ka penguar ndonjë zyrtar policorë, por një tiketë dënimi i është shqiptuar derisa e kishte parkuar veturën para Shoqatës së Veteranëve.
“Nuk është e vërtetë që kam penguar ndonjë zyrtar policor, por për disa ditë rresht dikush nga Policia para Shoqatës së Veteranëve më vendos tiketë denimi për parking edhe pse dhjetëra vetura tjera të parkuara nëpër parking e trotuare e më keq se e imja ishin të parkuara dhe nuk kishin tiketa dënimi. Tipin në fjalë nuk e njoh por veprimet e tij më bëjnë të dyshoj se kanë qenë provokuese dhe me qëllim për të cilin pres përmes organeve të drejtësisë ta sqaroj sepse si kam borxh me ardhe me m’çit gaz pa arsye”, thuhet në reagimin e Berishës.
“Kjo është një gënjeshtër e pastër, unë jam mësuar me pallavra të kësaj natyre, natyrisht që unë kam rënë pre e një provokimi të një viktime të propagandës që bëhet ndaj njerëzve të ish- UÇK-së dhe nuk e kam as idenë se çka ka ndodhur. Unë prita me ma shkru tiketën dhe e gjuajta nën makinë. Faktikisht kjo ishte e gjitha, gazi lotsjellës e me radhë. Më pas kam shkuar në Polici dhe ende jam aty”, tha Berisha.
Pas kësaj, ka reaguar analisti politik Xhevdet Pozhari.
Përmes një postimi në facebook, ai shprehet se tash po vijnë gjeneratat e reja që nuk pyesin kapadainjtë.
“Arrestimi i Zafir Berishës është lajm se tashmë po vijnë gjeneratat e reja që nuk ua pyesin letrat kapadainjve të cilët thonë “a e din ti kush jam unë, filan komandanti”!
E ki shkel ligjin, arrestohesh. Pikë.”, shkruan Pozhari.