Në kuadrin e vizitave dhe të debatit të hapur me mërgimtarët, LDK-Qendër bëri aktivitetin e radhës në Degën e LDK-së në Gjermani. Nënkryetari i LDK-së, Anton Quni mori pjesë në një takim pune me Kryesinë e Degës dhe të Nëndegëve të LDK-së, në Gjermani. U përzgjodh Ludwigshafeni, simbolikë e emigracionit të hershëm ekonomik, nga viti 1968.
Organizuesi i takimit, kryetari i Degës, Osman Ferizi, përshëndeti mysafirin e nderuar, komandantin e Luftës së Kosharës heroike, Kolonel Anton Quni, ish-kryetarin e kësaj Dege, Qazim Bajgoraliun, kuadrot e hershëm, të prirë nga njëri nga themeluesit e Degës, Sebastian Nuiqi dhe të rinjtë e kësaj Dege, si dhe të gjithë të pranishmit. Ai bëri një ekspoze të veprimtarisë të kësaj Dege, me të mirat dhe dobësitë e saj. Ai, si gjthmonë, ishte i drejtëpërdrejtë dhe i saktë, në ekspozenë e tij dinjitoze.
Jo rastësisht, kemi zgjedhur qershorin, muajin e lirisë të Kosovës. Është një takim i shumëpritur, i pari i këtij llojit, pas shumë vitësh. Andaj, ftoi anëtarët e Kryesisë së Degës, kryetarët e Nëndegëve, si dhe veprimtarët tjerë, të flasin e debatojnë, t`i kontribuojnë këtij takimi, me vërejtjet, sugjërimet dhe propozimet e tyre, për ta ngritur cilësinë e veprimtarisë, në Nëndegët dhe Degën e LDK-së në Gjermani.
Dega e LDK-së në Gjermani, ka përshëndetur ndryshimin kadrovik në LDK, ka aprovuar zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së, Prof. Dr. Lumir Abdixhikun. Lidërshipi i ri ka ardhur me premtimin e bërjes së reformave në parti. Por, me keqardhje, po kalojnë muajt dhe ende nuk është bërë skanari i humbjes, i rrënimit të LDK-së!? Dhe, pa e bërë një analizë të shkaqeve, pse LDK-ja u fundosë me humbje të përsëritura, pak shpresa kemi, për një reformë të thellë, të mirëfilltë?
Duhet pranuar se LDK-ja “ka dalë nga shinat, traseja”. Për të ecur përpara, partinë duhet vënë në binarët e hershëm të Rugovizmit klasik. Kjo do t`i hapte rrugë mbylljes të mospajtimeve të së shkuarës, për të shkuar drejtë së ardhmes. Nostalgjikët e së kaluarës, janë pengesë për të ardhmen. Të mbështesim udhëheqjen e re, si një shpresë reale të ringjalljes së LDK-së.
Dega e LDK-së në Gjermani, përgjatë aktiviteteve të saj, ka hasur edhe në pengesa. Arsyet kanë qenë subjektive. Është ballafaquar me bojkot e kushtëzime të disa individëve, duke ndikuar edhe në disa Nëndegë. Megjithatë, me tolerancën e trashëguar nga Presidenti Rugova, kemi shmangur masat, të cilat i parashikon statuti i LDK-së. Urojmë e besojmë të mos na përsëritën qëndrime të tilla destruktive.
Dega e LDK-së mirëpret anëtarësimet e reja. Ndërkohë, nderon, herëpashere veprimtarët e hershëm me -Mirënjohje-.
Së fundi, Dega jonë ka shpallur – Kryetar Nderi – kuadrin e djeshëm dhe heroin e sotëm, Sali Çekaj”,- tha në mes tjerash, kryetari Osman Ferizi.
Ai përmendi me respekt kryetarët pararendës, që kanë drejtuar Degën e LDK-së në Gjermani: Hafiz Gagicën, Hazir Krasniqin, Qazim Bajgoraliun, Donikë Gërvallën, të cilët punuan me përkushtim, por, edhe u sabotuan mjaftueshëm, nga klane vendore, madje edhe nga Qendra.