Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka reaguar për deklaratat e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj i cili ka thënë se kryeministri Kurti “është kyçur” në një “skenar të Serbisë për dështimin e propozim-marrëveshjes së Gjermanisë dhe Francës”.
Për këto deklarata, Basha ka kërkuar sqarim se “çfarë halli ka Haradinaj”.
“A di kush me shpjegu, çfarë halli ka Ramushi? Vuçiqi e Daçiçi e pranojnë që problemi kryesor i tyre është Albin Kurti, dhe po t’njejtën ditë Ramushi del në konferencë duke e cilësuar Albinin si tradhëtar!”, ka shkruar Basha.
Ai ia ka përmendur Haradinajt takimin me Milan Radoiçiqin, gjatë kohës sa ishte kryeministër.
“Prandaj Ramush, antiamerikan nuk është Kurti që kërkon respektimin e marrëveshjeve, por ata që ndezin automjete, vrasin politikanë, i qëndrojnë përkrah Putinit, dhe vazhdojnë me mbajtë në zyre kriminelë si Radojçiçi”, ka shkruar Basha.