Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë protestuar para tri ditësh para objektit të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që të përfshihen në Ligjin për Paga, në mënyrë që t’iu rriten pensionet njëjtë me pagën minimale.
Protesta e veteranëve nxiti mjaft shumë reagime në mbështetje të kërkesave të tyre, por njëjtë nuk ka menduar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili dje ka deklaruar se protestuesit “nuk kanë qenë veteranë, por militantë të PDK-së e AAK-së”.
Deklaratës së ministrit Sveçla i ka reaguar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa, i cili në një prononcim për lajmi.net e ka cilësuar deklaratën e Sveçlës si të “papërgjegjshme”.
“Nuk e di çka me komentu zotërinë Sveçla, ata janë veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Veteranët janë pjesa më vitale e vendit dhe më meritore së bashku me martirët, të rënët, dëshmorët që i ka Kosova. Janë themeli i shtetit të Kosovës, janë baza e lirisë së Kosovës dhe një deklaratë e papërgjegjshme e një zyrtari të shtetit, nuk ja kish vlejte me komentu. Sveçla s’mundet me i njoftë veteranët, ai mundet me e njoftë gjithkënd po veteranët jo”, ka thënë Beqa.
Tutje, ai ka deklaruar se në vend që Sveçla të komentojë veteranët, mund të flas për orën që ka pranuar dhuratë nga kryeministri i Katarit gjatë vizitës atje.
“Është punë e madhe me u marrë Sveçla me veteranët, le t’fol për qat orën që ja kishin falë n’Katar ndoshta e gjen veten”, ka thënë Beqa.
Deklaratën e Sveçlës e ka komentuar edhe deputetja tjetër e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila dje ka thënë se “kjo është tallje me hallet e qytetarëve”.
“Revolta qytetarë po rritet çdo ditë ndaj pushtetit dhe keqqeverisjes. Trendi i pakënaqësive është në kulm. Jeta e qytetarëve është rënduar dhe po bëhet e pamundshme në Kosovë. Kulmi i së keqes është tallja e këtij pushteti me popullin që është në luftë për ekzistencë. Ky pushtet po punon me moton ‘varfro e sundo’”, ka thënë Musliu.
Kujtojmë se Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dje ka paralajmëruar se nuk do të ndalen deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.