Hisen Berisha, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se ushtria e Kosovës duhet të financohet nga shteti.
Ai ka komentuar edhe Fondin e Sigurisë, ku ka thënë se mjeteve që mblidhen në këtë fond, nuk u dihet prejardhja.
“Nuk është e sigurt prejardhja e mjeteve. Ushtria duhet të financohet nga buxheti i shtetit. Për ushtri duhet të ndahet buxhet në rrugë formale, ligjore që të mos ndodhë komprometimi i këtij institucioni”, është shprehur Berisha në emisionin Portofol, KK.
Tutje, Berisha ka shtuar se Fondi i Sigurisë është ilegal dhe se ky fond vetëm sa e keqpërdor sedrën e shqiptarëve.
“Ky fond është ilegal. Mënyra e mbledhjes është duke e keqpërdorur sedrën e shqiptarëve si në Kosovë ashtu edhe në diasporë. E kemi dëshmuar në kohë të luftës duke krijuar fondin “3 përqind”, pastaj fondin “Vendlindja thërret”. Nuk është mirë të provokohet sedra e shqiptarëve në këtë fushë sepse secili është i gatshëm të japë për ushtri”, ka shtuar ai.
Ai shtoi se VV-ja është e duke bërë politikë përmes kauzave të rrejshme, gjë për të cilën janë specialist.
“Nuk është i destinuar ekskluzivisht për ushtrinë. Këta [Lëvizja Vetëvendosje] janë kyçur në politikë përmes kauzave të rrejshme. Janë specialistë të kauzave të rreme. Çdo ditë ata po shndërrohen në specialistë mashtrimi dhe çdo premtim i tyre është mashtrim. Edhe kjo formulë [fondi] është mashtrim”, ka përfunduar Berisha.