Gazetar: Erdonit HOXHA
Dhjetori i vitit që lamë pas, ka nisur dhe ka përfunduar me fillimin e dy formateve televizive, realityshow, e që janë Big Brother VIP Kosova dhe Big Brother VIP Albania.
Këto dy realityshow janë paralajmëruar kohë më parë dhe janë pritur me kurreshtje të madhe te publiku.
Krejt kurreshtja ishte te banorët, se kush do hynte brenda shtëpive më të famshme në trojet shqiptare.
E, disa javë pas nisjeve, veçanërisht në edicionin e Kosovës, kanë shpërthyer kritikat, për shkak të gjuhës së përdorur nga e banorëve, gjuhë fyese e bullizuese.
Padyshim, kjo katrahurë televizive, u përcoll me kritika dhe komente të shumta.
Mirëpo, duke parë nivelin e debateve që bëjnë banorët, si argumentojë dhe si shprehën, a janë ata në fakt që në një formë apo tjetrën, ‘përfaqësuesit’ e nivelin intelektual të vendit tonë, në formë të përgjithësuar?
Duke qenë se kjo pyetje do shumë analizë, Syri.net Kosova, sjell më poshtë, koncepte mbi vlerat dhe antivlerat që tregojnë realityshout e formateve të tilla.
Sociologu kosovar, Ramadan Beshiri, BBV-në e sheh si një eksperiment social, që shpreh anët negative të shoqërisë.
Në një bisedë për Syri.net Kosova, ai tha se, Big Brother Kosova është një kiç i dobët, marketing i sjelljeve devijante, fjalorit banal dhe amoralitetit.
“Big Brother është një eksperiment social, i cili shpërfaq anën negative të shoqërisë, në aspektin e nivelit intelektual, bazuar në ngritjen e banorëve. Por, nuk mund të themi që nuk ka biseda brenda që stimulojnë të rinjtë për shkathtësi në jetë, duke u bazuar në rrëfimet e banorëve.
Personazhet brenda janë të njohur për botën publike si artistë, aktorë, etj., dhe e kaluara e tyre me sjellje devijante është një mësim për të rinjtë. Përfundimisht, Big Brother Kosova është një kiç i dobët, marketing i sjelljeve devijante, fjalorit banal, amoralitetit, ndërsa, me pak përqindje e klasifikoj kah ana pozitive, për të mirën e shoqërisë kosovare!
Super-struktura që tenton të promovohet është normalizim i pabarazive në vendin tonë. “VIP” ose “Elitë” e shoqërisë janë njerëzit me vlera intelektuale e morale, assesi të humburit në iluzionet e botës virtuale!” ka përfunduar Ramadani.
Kurse, sa i përket gjuhës bullizuese dhe asaj që shfaqet në media, sidomos në formate realityshow, sipas profesoreshës së Etikës, Remzie Shahini-Hoxhaj, duhet fillimisht që Komisioni i Pavarur për Media të caktojë rregullore që ndalon gjuhët e papërshtatshme për audiencë, pasi, emisionet me shikueshmëri të madhe, kanë ndikim në opinionin publik.
“Mendoj që KPM përpos liqenzës që e ka dhënë për këtë realityshou, është dashur që ta hartojë edhe një rregullore, ku trajton gjuhën që duhet përdoret. Duke qenë se një realityshou nuk ndodh shpesh, duhet pasur një rregullore të tillë, ku parandalohet bullizimi dhe ofendimi, por, me gjasë nuk është bërë. Gjuha bullizuese po abuzohet nga fytyrat publike madje, po shpërndahet një diskurs i tillë dhe po bëhet gjithë popullor. Mendoj që nëse ndonjë nga banorët e BBV-së në këtë rast, do ishte penalizuar nga përdorimi i kësaj gjuhe, të tjerët do të kishin pasur më shumë kujdes në këtë pikë. Mirëpo, Shumica e banorëve duket sikur këtë çështje e kanë marrë sikur “muhabet pas darke” dhe që mund të flasin çka t’iu vjen ndërmend. Në fund të fundit, s’duhet harruar se për shkak të audiencës, gjuha bullizuese dhe gjuhët tjera jo të përshtatshme, që dalin nga ky realityshou, kanë ndikim në opinionin publik” ka thënë Shahini-Hoxhaj për Syri.net Kosova.
Për Big Brother VIP ka folur edhe gazetarja e showbizit, Albina Zeneli.
Në një prononcim për Syri.net Kosova, ajo tha se nuk ka vlera që servohen te publiku nga ky realityshow, mirëpo, nuk është se edhe njerëzit kërkojnë edukim dhe informim nga formatat e tilla.
“Nëse flasim tani për vlerat që sjell nuk mendoj se kjo aventurë televizive servon tek masa ndonjë gjë pozitive, por pse? Nëse po kërkojmë informim dhe edukim, sigurisht që nuk do ta gjejmë në 2 formatet sepse jemi prezent në një treg mediatik që audienca i do skandalet, i do puthjet e përqafimet dhe në fund na akuzojnë neve gazetarëve që ju po i transmetoni tek ne?
Gjithsecili futet aty me synime të qarta; pra, ta tregojë vetën ashtu siç është e në fakt përgjatë rrugës dalin finesa të tjera dhe një imazh publik sepse t’u thuash ‘VIP-a’ është fjalë e madhe duhet të jetë në gjendje të aktrojë ngase nuk e besoj se në jetën reale janë të gatshëm ta ‘sakrifikojnë’ edhe nervin e tyre të fundit për të duruar kritika por dhe ofendime” ka theksuar gazetarja.
Po ashtu, Albina ka folur edhe për sjelljen e fytyrave publike që dalin pas këtyre realityshouve, duke ironizuar me disa prej tyre, duke pasur një porosi ironizuese për ta.
“Gazetarët e kanë detyrë ta thonë atë që e shohin, jo me ngjyrime personale. Por, secili aty e pasqyron karakterin e vet si person, kjo përrallë përfundon shpejt dhe çdo banor pak do të përflitet e do të harrohet siç ka ndodhur me x personazhe të shumta. Magjia e vëmendjes zgjat për aq kohë sa është aktiv ky format, por që personazhet i’a shohin ‘hajrin’ duke shtuar dikush më shumë e dikush më pak zero në llogarit kjo është e ditur.
Uroj vetëm që konkurrentët e Kosovës dhe Shqipërisë të dinë ta menaxhojnë vëmendjen e madhe mediatike që do ta shohin menjëherë pas daljes.
Dhe, një porosi për banorët; Mos na harroni e refuzoni kur ju thërrasim në intervista hahaha!” ka qenë përgjigja thumbuese e gazetares.
Se Big Brother VIP Kosova e Albania dhe VIP-at që janë bërë pjesë e saj po e paraqesin mentalitetin social shqiptar, e thotë edhe një qytetare.
Diellza P. i ka thënë Syrit që artistët e tillë kanë dal nga pëlqyershmëria popullit, prandaj, e paraqesin mentalitetin e tyre.
“Derisa po i njëjti popull i ka ngritur në këtë piedestal, janë po të njëjtit njerëz që i shohin, që i përkrahin, prandaj, edhe artistët apo fytyrat tjera publike që bëhen pjesë e këtyre realityshouve, janë në një nivel me popullin. Nëse aty përdoret gjuhë bullizuese, atëherë, kjo gjuhë vjen nga jeta e përditshme, nga rrethi, shoqëria dhe nga realiteti. Thjesht po e pasqyrojnë atë se çka shoqëria shqiptare është në të vërtetë” tha ajo.
Kujtojmë që, Big Brother nuk është formati i vetëm që në trojet shqiptare, saktësisht në televizionet shqiptare që promovon gjuhë bullizuese edhe dhunë, qoftë ajo fizke apo psikike. Një gjë të tillë e kemi parë edhe në programe televizive si ‘Për’puthën’, ‘ It’s my love’ e ‘It’s my home’.