Lajme

Clark: Shpresoj që Kosova të ftohet së shpejti në NATO

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
1:24 / 30 March 2022

Vendimi për nisjen e fushatës së bombardimeve kundër Serbisë me qëllim të ndaljes të gjenocidit së shtetit serb ndaj popullatës civile në Kosovë ishte një prej momenteve vendimtare për çlirimin e Kosovës. Hartuesi i planit se ku do të binin bombat e lirisë, gjenerali amerikan në pension, Ëesley Clark, në një intervistë për Gazetën Express, ka shpjeguar se sa e vështirë ka qenë të merrej vendimi për bombardim në vitin 1999, vendim të cilin tashmë po e kërkojnë edhe ukrainasit kundër Rusisë.

“NATO ia kishte bërë të qartë Millosheviqit dhe kishte ndërmarrë veprime për të konfirmuar, se nëse ai rifillonte spastrimin etnik, ai do të përballej me fushatën e bombardimeve. Vendimi për të nisur fushatën [e bombardimeve] ishte marrë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nga shefat e qeverive të NATO-s. Unë kam përgatitur koncept-planet dhe jam konsultuar gjatë procesit të vendimmarrjes. Realisht, nuk ishte e mundur përfshirja e Kosovës në Procesin e Paqes së Dejtonit dhe kështu u deshën sulmet e përshkallëzuara serbe në vitin 1998 për të sjellë nevojën që NATO të merret me Kosovën”, theksoi Clark.

I pyetur për rolin e ish-sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright, e cila vdqi më 23 mars, Clark u pëergjigj se “Sekretarja Albright ishte një lidere e fuqishme, parimore, e cila mbronte lirinë dhe demokracinë – ajo ia dedikoi jetën këtyre parimeve”.

“Ajo besoi se SHBA-ja duhet të udhëhiqte. Ajo mund të ishte e ashpër si përkrahëse për të ndërmarrë veprimet e duhura. Unë isha gjithmonë mirënjohës për njohuritë dhe mbështetjen e saj”, tha Clark.

Në pyetjen se si e sheh tani Kosovën dhe a ka progres, ish-Komandanti i NATO-s tha: “Kosova ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe është në rrugën e saj për t’u bërë modele e lirisë dhe demokracisë në rajon. Jam shumë i kënaqur që SHBA-ja ishte në gjendje të ndihmonte popullin e Kosovës në nisjen e këtij udhëtimi. Tani Kosovës i duhen më shumë investime, vazhdimësi të politikave të mençura dhe aftësi për të menaxhuar punët e shtetit për të ndërtuar themelet e sigurisë dhe ekonomisë së saj në një rajon të trazuar”.

Sa i përket frikës se konflikti në Ukrainë mund të përhapet edhe në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Bosnje dhe Kosovë, Clark tha se shihet qartë se Rusia është e interesuar për destabilizimin e Ballkanit.

“Bashkimi Europian ka përforcuar prezencën në Bosnje dhe z.Dodik është paralajmëruar dhe sanksionuar atje. Serbia po përpiqet në divorcimin e saj nga idetë e vjetra të pansllavizmit dhe imperializmit dhe të kalojë në botën moderne; shpresojmë që kjo mund të ndodhë. NATO është e gatshme të ndihmojë në ruajtjen e stabilitetit në rajon; Shpresoj se Kosova së shpejti do të ftohet për anëtarësim në NATO”, qartësoi Clark.

Clark më tutje shtoi se ka ende grupe radikale në Serbi dhe një nostalgji të zjarrtë për ëndrrat e shëmtuara të frymëzuara nga Millosheviqi.
“Kjo është për të ardhur keq; Serbia duhet të përballet me Perëndimin për të gjetur të ardhmen e saj të drejtë”, shtoi ai.

Clark foli edhe për agresionin actual të Rusisë në Ukrainë, duke thënë se pushtimi I Ukrainës do ta vendoste në rrezik NATO-n dhe stabilitetin në Evropë.
“Tani për tani, vendet anëtare të NATO-s duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet duke dhënë mbështetje të plotë diplomatike, humanitare dhe ushtarake. Një fushatë ajrore e NATO-s, siç bëmë për Kosovën, nuk është përgjigjja e duhur në këtë pikë, por veprime më të drejtpërdrejta të NATO-s mund të jenë të nevojshme në një moment të ardhshëm”, përfundoi Clark.