Gazetari Visar Duriqi ka thënë se për rastin e vrasjes së 30 vjecarit Gazmend Hyseni në Ferizaj nuk janë fajtor vetëm grupet e repit.
Në fundjavën e kaluar ndodhi një vrasje ku i dyshuar është vëllai i reperit të njohur me emrin Buta. Duriqi dha detaje nga ngjarja që kishte nisur si shkak i djegies së një veture luksoze që i takonte Butes.
“Të shtunën gjatë gjithë ditës kemi nxjerrë detaje, por edhe jemi kujdesur për të gjetur zanafillën e kësaj. Ajo nis nga data 27 mars e këtij viti. Pak para kësaj kohe, këngëtari i njohur me emrin Buta blen një veturë luksoze dhe thotë pse po thuni nuk ka punë në pandemi dhe fillon të mburret me të. Vëllai i të dyshuarit për vrasje. Më 27 mars ndodh ajo që kjo veturë digjet dhe realisht prej atëherë policia ka dyshuar që viktima e ka djegur. Prej atëherë janë duke e ndjekur këtë pistë. Edhe grupet me gjasë e kanë ditur se kush e ka bërë”, tregon ai në emisionin Pressing në T7
Duriqi më vonë hodhi gishtin nga organet e sigurisë, duke thënë se ata nuk kanë reaguar me kohë për të ndalur një vrasje.
“Për rastin në Ferizaj nuk ka faji hip hop kultura, dështuan prokuroria e policia. Është ditur botërisht se kush e ka djegur veturën. Është dashur reagim”, tha ai.