Analsiti Rexhep Elezaj thotë se opozita në këtë rast me kritikat ndaj kryeministrit Kurti është thikë pas shpine, sepse në këtë proces të vështirë Kurti duhet të kishte mbështetje nga opozita.
Sipas tij, ajo çfarë kanë thënë PDK dhe LDK, është idiotizëm dhe maskarallëk politik i llojit më të pacipë.
Reagimet negative të opozitës ndaj Planit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, përfshirë edhe takimin në Ohër të Maqedonisë së veriut, mes presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe kryeministrit Albin Kurti, nën ndërmjetësimin e vetë z. Joseph Borrell dhe z. Miroslav Lajçak, nuk do i kisha quajtur mashtrim dhe humbje historike, veçse thikë pas shpine ndaj negociatave Kosovë-Serbi..!?
Ngase, ta lësh të vetmuar kryeministrin e vendit, z. Kurti, në një dialog kaq të vështirë dhe të komplikuar me Serbinë hegjemoniste, siç e kanë treguar këtë takimet në Bruksel në mes dy palëve në dhjetë vitet e kaluara, pra që kur ka filluar dialogu e deri më sot, të mos qëndrosh krah qeverisë së vendit tënd si dhe mos ta ndihmosh për aq sa ke mundësi, duke e penguar dhe kritikuar me lloj-lloj deklaratave të pamatura dhe pa asnjë sens politik e kombëtar, siç kanë vepruar udhëheqësit e PDK-së dhe LDK-së karshi dialogut me Serbinë, të cilin në dy vitet e fundit po e udhëheq kryeministri Kurti, thënë më së buti, është idiotizëm dhe maskarallëk politik i llojit më të pacipë..!?”, thotë ai.
Tutje, Elezaj shprehet se PDK dhe LDK si duket nuk kanë kuptuar asgjë nga plani ose ndoshta kanë edhe djallëzore ndaj qeverisë Kurti.
“Pastaj, të deklarosh me aq budallallëk, se Plani i BE-së prej 11 pikave si dhe Aneksi i implementimit të tij, i cili u aprovua në Ohër nga të dyja palët në dialog, na qenka kundër interesave të Kosovës, dhe se dialogun me Serbinë ky akt e prolongon në kohë të pacaktuar (A. Hoti), se ky Plan është vetëm në favor të Serbisë, dhe jo edhe në favor të Kosovës, dhe kështu me radhë, më rezulton se këto dy parti opozitare në Kosovë, ose e kanë lexuar, por nuk kanë kuptuar asgjë nga ky Plan, ose kanë qëllime djallëzore ndaj qeverisë Kurti, të cilës ia dëshirojnë humbjen dhe dështimin në dialog me Serbinë..!?
Ndryshe nuk mund të justifikohet qëndrimi i tyre kundërshtues dhe në dëm të Kosovës ndaj Planit të BE-së, i cili “de-facto”, nëse e nënshkruan pala serbe, është njohje reale e pavarësisë e Kosovës, por të njëjtin në dy takimet e mbajtura me 27 shkurt në Bruksel dhe dje me 18 mars në Ohër, presidenti serb A. Vuçiq po refuzon që ta nënshkruan. Po refuzon, sepse e dinë fare mirë se me pranimin me shkrim të këtij Plani, njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë do bëhet akt i përfunduar”, deklaron Elezaj.
Në fund, mos nënshkrimi nga ana e Serbisë flet qartë se ky plan nuk është i pranueshëm për Serbinë, duke u munduar të blejnë kohë, me shpresë që lufts në Ukrainë të përfundojë me fitoren e Rusisë.
“Kurse, takimi në Ohër midis kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksander Vuçiq, në bazë të deklaratave të dhëna pas mbarimit të takimit nga z. Josep Borell, z. Kurti dhe Vuçiq, rezulton se, pranë vështirësive të mëdha për gjetjen e modaliteteve për arritjen e ndonjë kompromisi rreth formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe (AKS) në Kosovë, në implementimin e të cilës kërkesë po insiston me çdo kusht presidenti serb, Vuçiq, në njërën anë, si dhe gatishmëria e kryeministrit Kurti, që këtë Plan ta nënshkruajeë pala serbe, por të cilit nënshkrim po i ikën me hile dhe dredhi A. Vuçiqi, siç e tha mbrëmë vetë kryeministri Kurti, më duket se pranë këtij refuzimi nga pala serbe, është arritur dakordim gojor publik, që të fillohet me implementimin e disa pikave të këtij Plani bazik, për çfarë është marrë vendim që BE-ja ta formon një komision mbikëqyrës, që në fakt është një hap përpara drejtë pranimit të kësaj marrëveshjeje edhe nga ana e Serbisë!
Sido që të jetë, vetë refuzimi i presidentit të Serbisë, Vuçiq që ta nënshkruan Planin e BE-së për Kosovën, flet qartë se Plani në fjalë nuk është i pranueshëm për Serbinë, nënshkrimin e të cilit me çdo kusht duan ta shtyjnë sa më gjatë që të jetë e mundur duke blerë kohë, me shpresën se lufta në Ukrainë do përfundojë me fitoren e Rusisë!”, përmbylli ai për “Bota sot”.