Lajme

Mehmeti:“Gani Geci ka qenë cak i një grupi të strukturuar që kryente vr@.sje”

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
1:26 / 27 October 2024

Nga: Faton Mehmeti

Dëshmia e vëllait të Gani Gecit në Hagë ngjalli shumë reagime nga mediat dhe shoqëria. Gani Geci ishte i vetmi që i kishte rezistuar një ofensive të “ish-krahut të luftës” që tentonin ta diskreditojnë atë dhe familjen e tij, vetëm pse kishin mbajtur anën e presidentit Ibrahim Rugova. Më datën 19.10.2001, në një atentat në rrugën Skenderaj/Llaushë, Gecit iu vranë dy shokët e tij të ngushtë, Besim Dajaku dhe Bekim Kastrati, ndërsa ai vetë mori plagë të rënda.

Duket se Gani Geci ka qenë cak i një grupi të strukturuar, siç e ka theksuar dëshmitari Murat Mehmeti gjatë dëshmisë në gjykimin e Ganiut për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit. Murat Mehmeti, i cili atëherë kishte punuar si zyrtar policor në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë, duke u përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Ndrecë Dodaj, kishte deklaruar se “Gani Geci ka qenë cak i një grupi të strukturuar që kryente vrasje, ku bënte pjesë edhe Ruzhdi Shaqiri.” Kjo e arsyeton komunikatën nr. 59, nga ku Ganiu cilësohej si tradhëtar, dhe pikërisht Ganiu dhe familja e tij kërkojnë drejtësi.

Ata nuk kishin rrugë tjetër, ose të kërkonin drejtësi dhe të qëndronin në Kosovë, ose të largoheshin. Zgjodhën të qëndrojnë dhe të kërkojnë drejtësi. Krejt këto ndodhi vetëm për një arsye: qëndrimi i tyre krah presidentit Rugova.

Me gjykata të korruptuara, kurrë nuk do të zbuloheshin e vërtetat e komunikatës dhe as atentatit ndaj Ganiut, prandaj e vetmja shpresë mbetet Gjykata Speciale, e cila mund të ketë njohuri, pasi personat që e kanë kryer këtë atentat sigurisht janë pjesëmarrës edhe në ngjarje të tjera pas luftës ndaj zyrtarëve të LDK-së, dhe në përgjithësi ndaj atyre që mbështesnin vijën e Dr. Rugovës. Familja Geci kërkon vetëm drejtësi që i takon dhe për të cilën kanë vuajtur për më shumë se njëzet vjet.