11:16 / 4 September 2022
Shkruan Lirim Gashi
Kjo qeveri e mori pushtetin në kohët më të këqija dhe për këtë arsye nuk mund të tregojë kaq shpejt rezultate kolosale.
Por për ta arritur së paku rezultate të prekshme në politikat e brendshme, ajo duhet të jetë e hapur ndaj sugjerimeve konstruktive dhe të marrë për zemër disa këshilla të mira.
Por ajo nuk e bën këtë.
Përkundrazi ajo shfaqet arrogante dhe injoron njerëzit që kanë dhënë gjithçka që ajo të vjen në pushtet me plebishit.
Nga ana tjetër ajo ka shkatërruar të gjitha urat me partitë e tjera dhe mediat, prandaj është e varur nga ndihma e tyre si toka nga dielli.
Nuk dua t’i bëj më sugjerime konkrete kësaj Qeverie, duke e ditur mirë se do të hasin në vesh të shurdhër, por një gjë mund t’jua them qysh tani.
Kjo Qeveri tashmë mund të harrojë 51%.
Dhe kjo më trishton sepse e di edhe kush do të vijë pastaj në pushtet me mbështetjen e plotë të Uashingtonit dhe Brukselit.
Ndaj i bëj apel Albin Kurtit, të shkelë pedalen e gazit dhe të pastrojë fillimisht kokën e tij nga llumi që ia kanë futur brenda disa bashkëpunëtor servilë, të pamoralshëm dhe të pandershëm, pastaj në partinë e tij dhe krejt në fund në institucionet shtetërore dhe publike.
Kosova nuk është e madhe sa Kina, ndaj guximi për të zbatuar reforma korrekte properëndimore politike, sociale, arsimore, shëndetësore, kulturore dhe ekonomike shpërblehet këtu me vota.
E në veçanti krijimi i vendeve të reja të punës përmes investimeve nga jashtë dhe nga mergata.