Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) Ramush Haradinaj ka reaguar pasi që Gjykata Speciale në Hagë dënoi ish-krerët e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Haradinaj në Pressing ka thënë se po vazhdon golgota mbi UÇK-në dhe Kosovën.
“Po vazhdojnë këto pasoja mbi çlirimtarët. Nasimi si fëmijë ka qenë i burgosur politik, pjesëmarrës i luftës. E gjithë familja në burg, baba në burg, motrat, nëna. Si familje janë ndër breza atdhetar të dëshmuar. Duhet të luftojmë për epilogun e drejtësisë. Në sallë të gjykatës duhet dëshmuar e vërteta”, tha ai.
“Është e ditur se të dhënat sensitive të një organi gjyqësor ose hetues janë të mbrojtura me ligj dhe askush jo i autorizuar s’mund t’i ekspozojë. Atëherë unë u kam bërë vërejtje, u kam bërë kritikë, por unë mendoj se edhe Nasimi edhe Hysniu në atë kohë nuk i kanë menduar të gjitha këto aspekte, por të bindur se po tregojnë një gjendje kanë vepruar ashtu”, shtoi Haradinaj.
Ndryshe, Gjykata Speciale ka dënuar me nga katër vjet e gjysmë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn duke përfshirë kohën e qëndrimit të tyre në paraburgim si dhe me nga një shumë parash prej 100 eurosh, për publikimin e dokumenteve të Gjykatës Speciale të cilat ishin sjellë nga persona të panjohur në zyrat e OVL-së së UÇK-së në Prishtinë në vitin 2020.
Gucati dhe Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020. Paraqitjet e para të tyre si të dyshuar u mbajtën para gjykatësit të vetëm, Nikola Giju, më 29 shtator dhe 1 tetor 2020.
Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat. Gjykimi i tyre filloi më 7 tetor 2021 ndërsa procedura e paraqitjes së provave në këtë çështje u mbyll më 3 shkurt 2022. Vendimi nuk është i formës së prerë dhe mund të apelohet nga avokatët e të dënuarve.