Ish-kryeministri i Kosovës, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj vlerëson se kryeministri aktual Albin Kurti i ka kapur institucionet e shtetit.
Haradinaj thotë se Kurti ka krijuar ‘lidhje të shkurtra’ nëpër këto institucione saqë personalisht i interviston edhe kandidatët për anëtarë të bordeve.
“Po na del ndër më të etshmit për pushtet, më i etshmi që ka ekzistua ndonjëherë. Nuk kemi parë ne ndonjëherë ndryshim kaq evolutiv të një pushtetari në periudhën para dhe pas zgjedhjeve. Pra nuk ka ndodhur ndonjëherë një transformim aq i madh sa ka ndodhur me Kurtin. Është e paimagjinueshme, Kurti opozitar me Kurtin në pushtet. Pra ky del që është lakmitar i madh në pushtet. Pra del që e ka qëllim pushtetin dhe këtë e dëshmon me kapje të institucioneve. Krejt lidhjet e shkurtra që i ka krijue: borde, kompani, familjarë, militantë, deri te edhe për një ujësjellës, anëtarët e bordit i interviston Kurti. Pra, edhe për ujësjellësin se lëre më edhe për tjerat dhe dëshira me e kap çdo institucion shihet te ky”, ka deklaruar Haradinaj në Këndin e Debatit në Tëvë1.
Haradinaj ka thënë se Kurtit lakmia për pushtet “ka me ia hangër kryet”.
“Ekziston një teori thojnë: Zullumi këputet prej trashit. Këtij ka me ia hangër kryet kjo lakmia e madhe me kap shtetin dhe me e kapë pushtetin, sepse o kah e bon pa kritere, me keqpërdorime të jashtëzakonshme, pa bazë ligjore, o kah e bon me sjellje të ulëta. Edhe kjo ka me i kushtu te shumë profesionistë, te shumë njerëz kredibil kanë me e pa që nuk qenka fare kriter ekspertiza apo diçka po vetëm a je lidhje e shkurtër, a je militant, a je një prej atyre që këta s’kanë dyshime në ty me bo dallavere me ty dhe korrupsioni i Qeverisë Kurti është më i keq se i të gjitha qeverive më herët për shkak se nuk është fare korrupsion, është lidhje e shkurtër”, ka shtuar Haradinaj.
“Pra ky i ka këput krejt mekanizmat kontrollues, balancues, ndërhyrës. Ky ka kriju një VV të vogël brenda vendimmarrjes lokale dhe kudo që është paraja, vendimmarrja, postet, ky ka krijuar një rrjet”.
Sipas tij, për punësimet partiake janë të njoftuar edhe ndërkombëtarët.
“Të gjitha instancat, edhe vendore edhe ndërkombëtare kanë informacion të mjaftueshëm për korrupsionin edhe krimin nga VV-ja në qeverisje. Për veprime arbitrare, vendime arbitrare, mosrespektim të profesionistëve, për ndërhyrje e lidhje të shkurtra”, është shprehur lideri i AAK-së.
Ai ka thënë se e tëra kjo shpjegohet me rastin e ambasadorit Martin Berishaj, për çështjen e të cilit ai ka kërkuar shpjegim nga Osmani e Kurti.
“Për me ju thanë ju se si është gjendja, merrne rastin e ambasadorit Berisha. Unë e kam njoftë Berishën dhe kam pas respekt për të edhe i respektoj malësorët e Malit të Zi, shqiptarët e profesionistët si ai profesor. Mirëpo, sot në bazë të të dhënave të pakontestume, ai ka nxjerrë kesh në sasi të madhe dhe nuk dihet ku ka përfunduar ai kesh. Plot aludojnë që te zonja Osmani apo Kurti, pra ai kesh ka përfunduar aty. Dhe nuk e kanë guximin, pra, zonja Osmani e zoti Kurti, me dhanë një shpjegim të qartë se ku është puna. Është me shumë pikëpyetje, me siguri mund t’i ketë më shumë sesa që i dimë. Ajo që e sqarova unë është te morali. Nëse ti thirresh në moral të pakorruptueshmërisë, atëherë tregom të lutem si e sqaron këtë”, ka thënë Haradinaj.