Gazetari dhe analisti Baton Haxhiu përmes një shkrimi autorial ka goditur kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, duke e cilësuar si të shitur ende pa marrë mandatin e njërës nga partitë më të vjetra në vend.
Sipas Haxhiut, është Abdixhiku që e bëri Vjosa Osmanin presidente, e cila tash mbanë aleancë të fortë me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, tash kryeministër.
‘’Lumir Abdixhiku, ndërkaq, është shitur ende pa hyrë mirë në zyre të Kryetarit të LDK-së. Në Qeverinë Kurti 1, ai ishte pjesë e bandës së Vjosa Osmanit për ta ndarë LDK-në në dysh në mënyrë që ta ndajnë më lehtësisht pastaj pushtetin me Albin Kurtin. Në këtë mënyrë, marrëdhënia LDK-VV e shndërruan në marrëdhënie Albin-Vjosë. Kjo u bë në emër të vendosjes së reciprocitetit, që ishte vetëm një kauzë falco sikur pothuajse çdo buzëqeshje e Vjosës, e një manovre strategjike që Vetëvendosje nga 20 e kusur % të shkoj mbi 50%. Kaq’, thuhet kah mesi i shkrimit të Baton Haxhiut.
Gazetar Haxhiu e lë si përgjegjës kryesor Abdixhikun pse vuri në krye të Presidencës një politikane si Vjosa Osmani, e konsideruar si aspak unifikuese.
‘’Abdixhiku e mban përgjegjësinë e plotë që me vota të tij ka vënë në krye të vendit një grua që për nga shkalla e përzierjes në punë politike ditore e ka thyer edhe rekordin e kohës kur Fatmir Sejdiu kishte ‘ngrirë’ detyrën e tij si Kryetar i LDK-së. Gjithsesi, Vjosa ka mësuar shumë nga Fatmir Sejdiu në punë dhe në jetë.’’
Ai nuk ka lënë pa përmendur as heshtjen e Lumirit kur ministrja Donika Gërvalla premtonte të dorëzonte prova në Speciale kundër ish-krerëve të UÇK’së.
‘’Po ashtu, Abdixhiku qëndroi gojëmbyllur kur u zbulua skandali i tmerrshëm se Ministrja e Jashtme e Kosovës kishte dhënë premtime se do dorëzojë prova në Gjykatë Speciale për krerët e UÇK-së. Ai edhe sot nuk flet për të si i mjerë duke e tregtuar interesin e Kosovës me llogaritë e tij personale elektorale. Për këtë çështje sot nuk flet as PDK-ja, e, mbajeni në mend, nuk do ta ndjek deri në dorëheqje të Ministres, as Vlora Citaku, as Besa Kabashi-Rama.’’
Haxhiu ka përmendur një rast kur edhe Abdixhiku edhe Memli Krasniqi përkrahën Albin Kurtin, siç thotë ai nga adhurimi i heshtur për të.
‘’Abdixhiku së bashku me Memlin i shkuan në zyrë për t’i dhënë mbështetje një prej operacioneve elektorale të Albin Kurtit në Veriun e Kosovës. Nga frika e madhe apo adhurimi i heshtur për Albin Kurtin, ata të dy u bënë mbështetës të një aventure pa krye me zero rezultate.’’.
Në këtë shkrim, Haxhiu ka përmendur qasjen jokritikuese të Abdixhikut ndaj situatës me pandeminë dhe menaxhimin nga Qeveria Kurti.
‘’Abdixhiku nuk guxoi t’ia thotë të vërtetën në sy Albin Kurtit as për dështimin historik me pandeminë. Kur dikur Ministri i LDK-së, Armend Zemaj, ende pa vaksinë, e kishte menaxhuar situatën me më pak se 10 vdekje në ditë, Kurti e quante Armend ‘Zezaj’, e Abdixhiku nuk e mbronte kolegun e tij. Kur edhe pas sigurimit të vaksinës, për shkak të hapjes së parakohshme të masave sepse Arben Vitia e hidhte shotën si flutur në dasma të familjarëve, numri i vdekurve nga COVID-i shënoi rekord, jo Albin Kurti, por vetë Abdixhiku shmangej nga e vërteta si i gjorë’’.