Shkruan opinionisti Enver Bytyqi
Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë nisur për në Uashington për të nënshkruar një marrëveshje ekonomike të mijëvjeçarit! Sigurisht që kjo është ngjarje e rëndësishme për Kosovën. Nga ana tjetër Edi Rama shkarkoi sot zëvendësin e tij tamahqar në korrupsion, Arben Ahmetajn. Sigurisht që me urdhër të dikujt, një të madhi në Europë ose me shumë gjasa përtej Adriatikut!
Osmani dhe Kurti do të përpiqen të kurojnë perceptimin e tyre në raportet me SHBA-të, të cilat për hir të së vërtetës nuk kanë qenë aq të ngrohta sa i kishte Hashimi e madje edhe Abdullah Hoti në ditët e mjaltit në bisedimet me Serbinë. Dialogu duket se është bërë shkak i një lloj ftohtësie. Më saktë këmbëngulja për të mos pranuar çfarëdo lloj zgjidhje që shkon vetëm e thjesht në dobi të Serbisë. Por, që po bëhen përpjekje për të imponuar zgjidhje në dëm të Kosovës, kjo gjë është thënë edhe nga Borrell e Lajçak dhe është kërkuar gjithashtu nga diplomatë amerikanë.
“Me ndryshimin e kufijve ose me “Zajednicë”?
Një nga konfliktet prezente është qëndrimi ndaj “Open Balkan”. Nëse amerikanët kërkojnë kyçjen e Kosovës në këtë iniciativë serbe, atëherë duket qartë se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do të duhet të vihen nën kontrollin e Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiqit! Ky është qëllimi e më pas shkohet lehtas te marrëveshja Kosovë-Serbi me ndryshimin e kufijve ose me Zajednicën, për t’ia lënë shkëmbimin e territoreve një kohe tjetër të afërt. Këtë e mundëson Zajednica. Pra, ndarjen e Kosovës në një kohë tjetër. Asociacioni i Komunave Serbe nuk ka asnjë qëllim tjetër. Nuk synon të drejta më të mëdha të këtyre komunave, sepse ato tashmë kanë çdo të drejtë madje me diskriminim pozitiv për ta, e negativ për komunat ku banojnë shqiptarët!
Shumica e kundërshtarëve në pushtet po joshen me vizita e takime informale në SHBA. Ndërsa, ndonjë prej tyre, si Sali Berisha, po izolohet me qëndrime e vendime për “non-grata”! Ndërkaq servilët e gatshëm ta shesin atdheun e territorin e tij, si Edi Rama, vazhdojnë të provokojnë dhe kërcënojnë me destabilizimin e rajonit, nëse “kokëfortët” nuk dorëzohen e nuk munden. Kryeministri i Shqipërisë ka premtuar stabilitet me lëshime të çfarëdo lloji në gjeopolitikën rajonale, nëse ai mbahet në pushtet! Madje ka garantuar Perëndimin se Serbia do të bëhet pjesë e NATO-s nëse asaj i jepen disa territore nga Kosova e Bosnjë-Hercegovina.
Nëse në Uashington e në Bruksel binden për pragmatizmin serb të integrimit në strukturat Euro-atlantike, ata do të jenë të gatshëm të sakrifikojnë tri shtetet ballkanike, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën për të kënaqur orekset e Serbisë së Madhe. Në këtë lojë ndihma ndaj Serbisë e Edi Ramës është vendimtare. Garancia e Edi Ramës për marrëdhënie të mira me Beogradin me objektiv dhënien e Trepçës Serbisë, është valiumi që ve në gjumë Perëndimin. Me këtë rast “armiku” NATO i Serbisë bëhet aleati i saj, edhe pse qytetarët serbë dhe kisha serbe kurrë nuk do të pajtoheshin me këtë. Nga kjo skemë Rama dhe Vuçiqi e zgjasin jetën e tyre në pushtet. Kjo është arsyeja pse ata i shtyjnë zgjidhjet e dialogut me Kosovën.