Lajme

​Jasharaj sërish paralajmëron protestë e grevë të përgjithshme

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
4:42 / 30 May 2022

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës vazhdon të insistojë në kërkesat e saj. Udhëheqësit e saj po kërkojnë dialog me qeverinë dhe nëse kjo nuk do të ndodhë brenda 15 ditëve, nuk premtojnë se në shtator do të nisë mësimi, pasi mund të ketë grevë.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, në një intervistë për KosovaPress, ka treguar që mundësia e fundit për të pasur një dialog me qeverinë është ndërmjetësuesi ligjor, i cili e ka për obligim t’i dërgojë qeverisë një letër dhe të insistojë për dialog.

“E vërteta është se atë ditë askush nga qeveria nuk doli të komunikojë me ne. Ne e analizuam situatën dhe duke u munduar të gjejmë zgjidhje, çka tutje për t’i dhënë përgjigje dhe dukë parë se në ligjin për organizimin e grevave thuhej se këto veprime, të cilat i kemi bërë deri më tash, janë të lejuara, por për të kaluar në një grevë të përgjithshme, duhet të shfrytëzohet edhe mundësia e fundit dhe mundësia e fundit është ndërmjetësuesi ligjor, i cili ka obligim dhe autorizim në emër të sindikatës t’i dërgohet qeverisë një letër dhe pastaj të insistojë që qeveria patjetër të ulet dhe të bisedojë me sindikatat. Nëse qeveria këtij angazhimi nuk i përgjigjet pozitivisht, atëherë sindikatat, me Ligjin për Greva, e fitojnë të drejtën të hyjnë në grevë të përgjithshme”, ka thënë ai.

Jasharaj theksoi së nëse nuk do të vepronin me ndërmjetësues, atëherë sipas ligjit, qeveria do të kishte pasur mundësi ta shpallë grevën të paligjshme dhe të marrë hapa ndëshkues ndaj atyre që e shpallen zyrtarisht grevën.

“Një hap që na ka dhënë shpresë është takimi me gjashtë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje në Parlamentin e Kosovës, ku zoti Muja dhe të tjerët na kanë dëgjuar më kujdes, i kanë thënë edhe idetë e tyre dhe na kanë premtuar që çështjet e ngritura do t’i debatojnë edhe me të gjithë deputetët e partisë së tij. Urojmë që zoti Muja dhe deputetët e tjerë të mbajnë fjalën, të angazhohen sepse lufta jonë është të kemi dialog, marrëveshje mes dy palëve, pa pasur nevojë që të shkojmë në protesta dhe greva sepse e keqja më e madhe dhe ajo që na lëndon neve më së shumti është se jemi të vetëdijshëm që nga grevat tona nuk po ndëshkohet ai që e meriton, qeveria, por po ndëshkohen nxënësit, më të pafajshmit dhe jemi afër muajit qershor, që shënon mbylljen e vitit shkollor dhe çdo ditë e humbur do t’u krijonte problem nxënësve, qoftë për t’i përmirësuar notat dhe për të arritur sukses më të mirë apo për të marrë dije”, tha ai.

Jasharaj nuk ka përjashtuar mundësinë e vonesës së fillimit së vitit të ri shkollor nëse nuk do të këtë dialog. Sipas tij, qeveria duhet të ndryshojë qasjen ndaj sindikatës.

“Besoj që qershori do të kalojë me mësim dhe jo me greva, por nuk mund t’u premtoj as nxënësve, as prindërve e as qeverisë se nëse përsëri i ikin dialogut, atëherë do ta kemi punën keq, pasi nuk mund të shtyjmë afate më, shtatori pastaj do të dalë sikur viteve të tjera, me telashe, me kërkesa për greva. Nëse qeveria nuk e shfrytëzon këtë vullnet tonin të mirin në qershor, shtatori nuk mund të premtojë që mund të na gjejë në mësim, por qeveria duhet të ndërrojë qasjen me sindikatën. Këtë e kanë bërë të ditur edhe sindikatat tona që janë në nivel të Evropës, ato i kanë dërguar letër Kurtit, ku i kanë thënë që duhet të bisedojë me sindikatat dhe të ofrojë zgjedhje”, tha Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut gjithashtu ka shtuar se nuk po kërkojnë diçka të pamundur, por të bisedojnë dhe të vendosin për të mirën e të gjithëve./kp/