Deputetja nga radhët e AAK-së Time Kadrijaj, vlerëson se në Projektligjin për Pagën Minimale duhet të futen edhe kategoritë e luftës. Sipas saj, veteranët nuk e kanë pagë të kontributit, por me të jetojnë, pasi që me ligjin aktual që është në fuqi nuk iu lejohet që të punojnë edhe diku tjetër.
Këto komente Kadrijaj i ka bërë gjatë një prononcimi dhënë për GazetaBlic ku ka theksuar se me rritjen e kostos së jetesës në Kosovë, veteranët nuk mund t’ia dalin.
Tutje, ajo thekson se Kosova duhet t’i trajtojë në mënyrë të dinjiteshme veteranët dhe si model duhet të marrë Kroacinë.
“Kjo nuk është e drejtë, e di që qeveria dhe mazhoranca i kanë votat për një kalim, por kjo nuk i bënë nderë askujt sepse ne duhet t’i trajtojmë kategoritë e luftës në mënyrë të dinjitetshme dhe model duhet ta marrin Kroacinë. Veteranët nuk e kanë pagë të kontributit, por me këtë pagë jetojnë sepse me ligjin aktual që është në fuqi këtyre nuk iu lejohet që të punojnë edhe diku tjetër, pra me këto paga ata jetojnë dhe me rritjen e kostos së jetesës është e pa përballueshme që ata t’ia dalin”, deklaron ajo.
Ndërsa, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka paralajmëruar protesta në rast se miratohet në Kuvend Projektligji për Pagën Minimale, sipas versionit të Qeverisë.
“Nëse e ndryshojnë ligjin me hek atë nen që po pretendon qeveria, natyrisht që do të ketë protesta”, deklaroi Klinaku.
Ky projektligj ka ngjallur debate e reagime të shumta nga pozita e opozita, ku këta të fundit janë deklaruar se nuk do të votojnë PËR, në rast se aty nuk përfshihet rritja e pensioneve për veteranët dhe disa kategori të tjera.