Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas kritikave për vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Madje, ai thotë se “shumë shpejt keni për t’i pa rezultatet”.
Kërçeli ka shkruar se vizitat në kompanitë më të njohura në teknologji dhe inovacion të ShBA-së janë përfaqësimi më i mirë që mund t’i bëhet vendit në këtë kohë kur Kosovës i duhen vende pune për rininë.
“Kryeministri Kurti po e përfaqëson dinjitetshëm potencialin e vendit tonë në vizitën të cilën po e realizon në ShBA. Diplomacia ekonomike të cilën për herë të parë kaq direkt dhe kaq të qëlluar po e zhvillon kryeministri me kabinetin e tij, është ajo qe na ka munguar këto vitet e fundit. Vizitat në kompanitë më të njohura në teknologji dhe inovacion të ShBA-së është përfaqësimi më i mirë që mund të na bëhet në këtë kohë kur vendit tonë i duhen vende pune për rininë e cila po largohet nga pamundësia që talentet e tyre t’i kthejnë në vende pune”.
Ai deklaron se “kjo qeveri i ka përfaqësimet më të mira edhe në diplomaci ushtarake dhe në diplomaci klasike”.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ishte kritikuar nga opinioni publik pse gjatë vizitës së tij në ShBA ende nuk e ka takuar ndonjë zyrtar të lartë amerikanë.