Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku kohëve të fundit është bërë kritik i ashpër ndaj qeverisë Kurti duke e lënë fajtore qeverinë për grevat në arsim të organizuara nga SBASHK-u.
Abdixhiku në parlament dhe në media vazhdimisht po u del në mbrojtje arsimtarëve dhe sindikatave edhe pse jo më larg se para tri viteve i quante sindikata parapolitike të kapura nga PDK-ja.
Madje në një opinion të publikuar në të përditshmen Koha Ditore Abdixhiku ishte treguar shumë i ashpër edhe ndaj gjithë sistemit arsimor në vend duke i përmbledhur në kolumnen e tij të gjithë profesorët, arsimtarët , edukatorët në një “llum” të paditurish e duke i etiketuar si “një fabrikë e paditurisë”.
“Individë të paditur, nga kompleksiteti i përjetshëm i të qenit inferiorë, kishin vendosur një ditë të kapnin dijen me gjoks. Donin prestigj, autoritet e respekt; donin, të shkretët, siç ua merr mendja, të kapnin atë çfarë s’kapet pa mund e pa mend. Filluan me universitet e vazhduan me të mesme, me fillore e parashkollorë. Të paditurit u bënë profesorë, arsimtarë e mësues, u bënë edukatorë. Dhe kështu nisën fabrikën e paditurisë” shkruante dikur Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së në kolumnën e tij kishte përshkruar në mënyrë të hollësishme dhe kronologjike gjithë degradimin e sistemit arsimor në vend duke thënë se një llum i tërë ka kapur një fabrikë dijeje, për ta transformuar në fabrikë paditurie.
“Dhe sot 16 vjet më pas, kur shikon në retrospektivë, kupton dhe nivelin e tmerrshëm e të frikshëm të një sistemi të presupozuar për të dhënë dije. Si i tillë, ky sistem pra, ka gjasën e një topi bore në ferr për të prodhuar dije – dhe përfundimisht rimëkëmbje mbi dije. E nuk po flas vetëm për arsimimin e lartë (aty vetëm se kulmon padituria), po flas nga klasa e parë – deri tek e fundja; po flas për të gjithë. Një llum i tërë ka kapur një fabrikë dijeje, për ta transformuar në fabrikë paditurie” shkruante Abdixhiku në kolumnen e tij të botuar në Kohën Ditore në vitin 2015
Madje këtë shkrim, në atë kohë Abdixhiku e kishte shpërndarë edhe në rrjetin social Facebook.
