NGA: REXHEP ELEZAJ
Nëse për asgjë tjetër, atëherë shqiptarët si komb dhe si shoqëri kanë qenë të njohur në botë, si popull i besës dhe i moralit të fortë njerëzor dhe familjarë, si fisnik dhe njerëz të moralshëm, të cilët ndershmërinë e kanë pasur njërën ndër vlerat më sublime individuale dhe kolektive, një vlerë kjo e theksuar gjithandej, të cilën madje nuk e kanë poseduar popujt fqinj në Ballkan dhe më gjerë.
Mbase, ndershmëria si vlerë ka qenë gjenetike dhe e trashëguar nga paraardhësit tanë, e njohur si veti e lindur në qenien shpirtërore të tyre, siç ka qenë edhe paprekshmëria në moralin familjar, por dhe ruajtja e dinjitetit të gruas shqiptare, si pjesë kyçe e ndërtimit të një shoqërie të pastër gjinore, racore dhe kombëtare.
Madje, vlerat morale të shqiptarëve kanë qenë të kodifikuara në Kanunin e Lekë Dukagjinit, pikërisht për shkakun e ruajtjes së moralit dhe dinjitetit të femrës, si qenie nacionale nga e cila është varur në masë të madhe lindja dhe rritja e fëmijëve të shëndosh fizikisht dhe moralisht, me qëllim për ta ndërtuar një popull me vlera të pastra kombëtare, por edhe si shmangie nga rreziqet e huaja dhe devijimet e shumta morale dhe shpirtërore të kohës.
Pra, shqiptarët si komb dhe shoqëri deri vonë kanë qenë shembull unik në Ballkan për ruajtjen e nderit dhe moralit individual dhe familjarë, ata kanë qenë shumë rigoroz dhe tepër të ashpër nëse iu është cenuar dhe sulmuar morali i gruas, motrës, nënës ose ndonjë të afërme të tyre, sepse ka qenë akt i papranueshëm prekja e tjetrit në familje dhe nderin e gruas, e cila ka qenë partner i besueshëm në jetë, jo vetëm në aspektin e jetës intime, por dhe atë moral, duke qenë të vetëdijshëm se amoraliteti është ndër dukuritë më të rrezikshme që e shkatërrojnë një familje dhe një shoqëri.
Jo se nuk ka pasur aventura dhe raste amorale në çdo kohë, por ngase ato kanë qenë në numër shumë të vogël se sa sot, dhe krejtësisht sekrete, prandaj kur ka ndodhur që aktorët të kapën në vepër amorale (seksuale) jashtë martesore, zakonisht janë vrarë të dytë, ose vetëm njëri, pra gruaja, e cila menjëherë ka qenë e lëshuar dhe e dënuar nga pleqtë e fisit.
Pra, është ky akt njohur tek shqiptarët, se vrasjet për motive morale si dhe uzurpim të pronave, tokave, kanë qenë dy shkaktarët kryesor që shqiptarët janë vrarë me njëri tjetrin.
Unë jam i vetëdijshëm se kohërat kanë ndryshuar, meqë jemi në fillim të shek. 21, por kjo nuk nënkupton fare, se shoqëria shqiptare, pa dallim, duhet të përvetësojë çdo gjë “moderne” nga Evropa që shkon kundër moralit shqiptar, nderit familjar dhe pastërtisë së shoqërisë sonë si shqiptarë, në veçanti kur bëhet fjalë për seksin publik si dhe marrëdhëniet e shfrenuara erotike, ngase me programe të këtilla publike në televizionet private, ku të rinjtë tanë çdo ditë shikojnë pamje të degjenerimit moral si dhe sjellje të shfrenuara të striptizit, përveç se bëhen shkaktar të shkatërrimit të kulturës tonë shekullore, e cila na ka ruajtur nga zhbërja jonë si komb, këto programe duhet ndaluar menjëherë që të emetohen publikisht.
Sepse, përveç se i helmojnë të rinjtë tanë me skena publike seksuale, popullin shqiptar të Kosovës, i cili ende nuk i ka gjetur 1700 të zhdukurit e luftës, i cili çdo ditë bënë homazhe tek 400 varrezat masive të mijëra bijve të vetë të rënë për liri dhe pavarësi të Kosovës, ku gjaku i të cilëve ende nuk është tha, e bënë atë të poshtëruar si dhe të pa dinjitet para botës së civilizuar..!?
Pra, këtë nënçmim dhe poshtërim kolektiv në asnjë mënyrë populli ynë martir nuk e ka merituar, andaj nuk duhet lejuar që në shoqërinë dhe shtetin tonë, ende të pa konsoliduar dhe të pa zhvilluar ashtu siç e kishin ëndërruar 15 mijë martirët e Kosovës para 23 viteve, të ndodhin maskarallëçe të këtij lloji degradues, siç po bëhet në emisionin “Big-Brother”..!?