Lajme

Kurti flet për rritjen e pensioneve: Mbështetja për pensionistët nuk përfundon këtu

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
10:23 / 9 October 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sërish për rritjen e pensioneve prej 20 për qind që u bë në fillim të javës.

Në mbledhjen e 223 të Qeverisë, ai ka theksuar se rritja fillon të zbatohet qysh nga ky muaj, ndërsa nga janari 2025 pritet të rriten pensionet e përcaktuara me Ligjin për Kategoritë e Luftës.

“Kjo javë nisi me një lajm të mirë për pensionistët. Duke filluar nga ky muaj do të zbatohet rritja prej 20 për qind për pensionin bazik të moshës, atë kontributpagues, të plotë dhe parcial, pensionin e aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe të rritur, për të verbër, për punëtorët e Trepçës. Ndërsa nga janari 2025 do të rriten edhe pensionet të përcaktuara me Ligjin për kategoritë e luftës, familjet e dëshmorëve, invalidëve, dëshmorëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave të dhunës seksuale, civile dhe familjeve të tyre”, ka thënë Kurti.

Ai ka sqaruar edhe rritjen për këtë kategori se si funksionon.

“Ata që kanë më shumë se një familjar dëshmorë apo të zhdukur do të ndryshojë formula e llogaritjes për anëtarët e tjerë. Nga 20 për qind sa është, shtesa do të llogaritet si 50 për qind e bazës për secilin anëtar tjetër dëshmorë apo të zhdukur”, është shprehur kreu i Qeverisë.

Kurti po ashtu ka bërë të ditur se mbështetja ndaj pensionistëve nuk do të përfundojë me kaq.

“Puna jonë për rritjen e mbështetjes së pensionistëve nuk përfundon me kaq, vazhdon edhe më tej. Me punën tonë drejt finalizimit drejt reformës pensionale, e cila do të sigurojë se ata që kontribuan më shumë për këtë vend të kenë edhe trajtimin përkatës e të dinjitetshëm. Kur kemi hyrë në 6 mujorit e fundit, pensionet, ai bazik është rritur nga 90 në 120, në anën tjetër, katër herë kemi pasur mbështetje financiare nga 100 euro”.

“Prandaj të gjitha këto rritje janë bërë për të zbatuar programin tonë, që ata të cilët kanë nevojë t’ju ndihmojmë më shumë, dhe gjithashtu nuk paraqet reformën pensionale ende të cilën do ta bëjmë në një të ardhme të afërt”, ka potencuar ai.