Kryeministri Albin Kurti ka shkruar në 1 vjetorin e gjysmë të qeverisjes, duke përmendur disa të arritura gjatë pushtetit.
I pari i qeverisë përmendi rritjen ekonomike prej 10,7 përqind vitin e kaluar, pakot ekonomike në përballje të inflacionit, shtesat për lehonat, pensionistët dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe ndër të tjera, marrëveshjen 200 milionë dollarëshe me MCC-në, si arritje të Qeverisë, njofton Klankosova.tv.
“Përkundër krizave globale shëndetësore dhe energjetike, vitin që lamë pas shënuam rritje ekonomike prej 10,7% që është edhe rritja më e madhe në rajon. Ndërkaq, në çerekun e parë të këtij viti patëm 4.9% rritje ekonomike”, ka shkruar Kurti në një postim në Facebook, transmeton Klankosova.tv.
“Në 2021 kishim pakon e ringjalljes ekonomike me mbi 300 milionë euro, kurse sivjet duke shtuar edhe pakon e përballjes me inflacion mbështetja po i kalon edhe 350 milionë euro të tjera. Shtesat për lehonat e fëmijët, pensionistët e personat me aftësi të kufizuara, mbështetje për prodhuesit e eksportuesit, fermerët e studentët, mësimdhënësit e stafin shëndetësor, për kursyesit e energjisë dhe 13 kuzhina popullore etj”.
Kurti tha se të hyrat e Doganës janë rritur për 30.8 përqind, ndërsa të ATK-së për 28 përqind.
“Dmth. të dyja gati trefish më shumë se rritja e Bruto Produktit Vendor”, është shprehur ai.
“Eksportet u rritën për 83.6% vitin e kaluar kurse këtë vit kemi rritje për 29% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar”.
“Kemi nënshkruar marrëveshjen me MCC-në në vlerë prej mbi 200 milionë dollarë”, vazhdoi Kurti.
Tutje ai tha se si Qeveri kanë luftuar ekonominë joformale, punën e padeklaruar dhe kontrabandën.
Në mesin e grevës në arsim, Kurti u mburr se shkollimin publik e kanë bërë falas.
“Kemi rritur mundësitë e barabarta për zhvillim duke e bërë arsimin publik falas, duke shtuar buxhetin për arsim prej 12%, duke dhënë mbështetje financiare për studentë e nxënës si dhe duke rritur përfshirjen në Edukimin në Fëmijëri të Hershme. Duke lansuar sistemin dual të edukimit kemi hyrë në një etapë të re ku diploma siguron një vend pune pasi më në fund do të lidhim shkollat profesionale me tregun e punës”.
“Kemi investuar në mbrojtje duke dyfishuar buxhetin. Kemi luftuar krimin dhe kontrabandën në gjithë territorin e vendit”.
Në pikat e tij të arritjeve, Kurti gjeti hapësirë edhe për procesin e Vettingut dhe çështjet tjera në drejtësi.
“Me Vettingun për drejtësi, Byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe ligjet anti-korrupsion kemi filluar reformat e kërkuara nga qytetarët që synojnë të bëjnë gjyqësorin efikas dhe prokurorinë aktive në luftimin e kriminalitetit dhe në dhënien e drejtësisë. E bizneset dhe investitorët do të zgjidhin më shpejtë kontestet përmes Gjykatës Komerciale duke eliminuar pritjet dhe humbjet. Kemi themeluar Institutin për dokumentimin e Krimeve për të ruajtur kujtesën tonë kolektive dhe për t’i treguar gjeneratave të reja dhe botës krimet e kryera gjatë luftë në Kosovë”.
Avancimi në indeksin kundër korrupsionit, aplikimi në KiE, angazhimi për liberalizim vizash, përgatitjet për aplikim për anëtarësim në BE si dhe në Programin e NATO-s për Partneritet për Paqe po ashtu u përmendën .
“Të dashur qytetarë, këto janë vetëm disa nga arritjet në rrugëtimin tonë të përbashkët që kemi filluar nga 23 marsi i vitit të kaluar kur e morëm detyrën. Me punë dhe dije, dinjitet dhe guxim, jemi angazhuar për të arritur rezultatet që na duhen të gjithëve. Pritjet tuaja janë të mëdha, sepse ndryshimi që na duhet është i madh. Por ashtu siç dëshmuam me 14 shkurt të vitit të kaluar, ndryshimi është i mundur vetëm kur secili jep kontributin që i takon sepse Kosova është shteti e vendi ynë i përbashkët. Për progresin që kërkojmë e për Kosovën që ëndërrojmë duhet të punojmë të gjithë pa dallim e me qëllimet më fisnike”, u shpreh tutje Kurti.
“Të ardhmen e mirë e kemi përpara nesh, përfundoi ai.