Deri kryeministri Albin Kurti ka vazhduar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq në Ohër, opozita nuk i ka ndalur kritikat ndaj të parit të qeverisë. Ata kanë bërë me dije se qaja e Kurtit ka sjell regres në procesin e dialogut të Brukselit.
Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe PSD-së, kanë vlerësuar se Plani i BE-së nuk është në interes të Kosovës.
Deputeti i PDK-së, Hysen Berisha, në një intervistë për RTV Dukagjini ka thënë se Kurti e ka futur dialogun në një qorrsokak.
“Tani jemi në një situatë kur procesi është kthyer mbrapa, jo në kuptimin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, por të një reformatimi që ka pretenduar ta quaj kryeministri. Aty kryeministri e ka futur procesin në një qorrsokak, i cili më nuk i garanton interesat shtetërore të Kosovës. Pra, e ka humbu shansin historik”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, disa pika të ta planit e rrënojnë rendin kushtetues të Kosovës.
“Tani me Planin franko-gjerman, apo Planin e BE-së që është ofruar po shihet qartë në përmbajtjen e tij, në pikat 3 dhe 7 se de fackto e rrënon rendin juridik e kushtetues të Kosovës”, ka thënë ai.
Edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka përmendur pikat problematike të planit. Ai për televizionin Dukagjini ka vlerësuar se marrëveshja ka probleme serioze.
Sipas tij, zbatimi i këtij plani do të sjellë probleme për shtetin e Kosovës.
“Tanimë këto bisedime janë fokusuar në aneks-dokumentin që pritet të bëhet pjesë integrale, hyn në fazë të re të implementimit të kësaj marrëveshjeje. Nëse ky implementim fillon nga neni 7, dhe obligimet që merr Kosova sa i përket Asociacionit që aneks dokumenti parasheh, do të jetë e vështirë të shohim këtë fazë kur po pritet për më tutje se a do të formalizohet marrëveshja apo jo”, ka thënë Haziri.
Edhe më ashpër ndaj kryeministri ka qenë kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj.
Ai i ka kërkua kryeministrit që të jap dorëheqje dhe të bëhen bashkë për të kundërshtuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Kryeministër mos prano! Ka alternativë. Dorëhiqu dhe hajde e kundërshtojmë bashkë në shesh”, ka shkruar Molliqaj.
Takimi i 27 shkurtit / “Mos më pyetni për përmbajtje”: Vazhdon mostransparenca e turpshme për takimin Kurti-Vuçiq
Takimi trepalësh
Kryeministri Albin Kurti për disa orë po vazhdon takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili po ndërmjetësohet nga shefi i diplomacisë së BE-së, Jesep Borel, dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Paraprakisht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte pasur një agjendë të ngjeshur. Ai sot ka zhvilluar shumë takime të vogla para takimit me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesit e BE-së.
Fillimisht, i pari i qeverisë, është takuar me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, dhe ministrin e jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Më pas, Kurti është takuar me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski.
Pas këtyre takimeve, Kurti është shprehur optimist për takimin e madh.
“Jam optimist, jam i vëmendshëm dhe do të bëjmë më të mirën për Republikën e Kosovës, kushtetutshmërinë, sovranitetin, integritetin territorial, interesin publik dhe popullit për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse unë jam kryeministër i republikës i të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë Kurti.
Ai ka deklaruar se Kosova është e interesuar për marrëveshje.
“Me këtë rast, përveçse jam optimist, kam ardhur me qëllim dhe vullnet të mirë, dhe në mirëbesim që dakordimin e arritur më herët, që fatkeqësisht nuk u nënshkrua në Bruksel më 27 shkurt, ta vazhdojmë përmes bisedimeve për planin e zbatimit dhe në këtë mënyrë ta rrumbullakojmë marrëveshjen për normalizim”, është shprehur Kurti.
Ai ka treguar për takimet e shumta që ka pasur sot.
“Ditën e filluam me kryetarin Ali Ahmeti, pastaj me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski, e tash edhe me emisarin e posaçëm për Ballkanin, zotin Escobar nga DASH. Nga këtu do të shkojë në takim me presidentin Pendarovski, e më pastaj kemi takime bilaterale me ndërmjetësit evropian, me Borrellin dhe Lajçakun, që i paraprin takimit trilateral”, ka thënë Kurti.