Kryeministri Albin Kurti e ka vizituar Qendrën Kulturore Shqiptaro-Amerikane në Teksas, ku ka takuar bashkatdhetarët që jetojnë e punojnë në këtë shtet, në kuadër të vizitës në ShBA.
Ai shprehu mirënjohjen për kontributin e madh nga mërgata e Amerikës për çështjen e Kosovës si dhe rolin vendimtar në zhvillimet historike për vendin tonë.
Duke theksuar zotimin e Qeverisë së Kosovës për të punuar bashkë për të mirën e përbashkët, ai tha se “në qeverisjen tonë, mërgata llogaritet si pjesë thelbësore e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit”.
Vëmendja e veçantë e qeverisë për mërgatën është reflektuar edhe në programin qeverisës, tha kryeministri, ndërsa përmendi nismat e qeverisë për një program nacional për transferim të dijes dhe përvojës nga mërgata në Kosovë, strategji të re për diasporën, projektligj të ri.
Ai theksoi se nëpërmjet nismës së dialogut me mërgatën synohet zhvillimi i partneriteteve me mërgatën dhe thellimi i bashkëpunimit të tyre me institucionet e Kosovës në fushat e arsimit, investimeve dhe inovacionit.
Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës ka interesim për të krijuar partneritet të ngushtë me mërgatën dhe se mirëpret të gjithë bashkatdhetarët tanë, ndërmarrësit nga mërgata, bashkë me partnerët ndërkombëtarë të investojnë në Kosovë.

