Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim ish-komandantin suprem të forcave aleate të NATO-s në Evropë gjatë viteve 1997-2000, gjeneralin Wesley K. Clark me të cilin ka biseduar mbi zhvillim ekonomik dhe reformat e nisura nga qeveria.
Gjenerali Clark e uroi kryeministrin Kurti për të arriturat e deritanishme dhe shprehu mbështetje për synimet e qeverisë.
Duke biseduar për angazhimin e qeverisë ndaj perspektivës së re të energjisë, u tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të punojë drejt diversifikimit të burimeve energjetike të vendit dhe ruajtjen e sigurisë së furnizimit.
Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, e cila mori pjesë në takim, foli për procesin drejt finalizimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë 2022-2031 dhe planit të veprimit, për një tranzicion të drejtë energjetik për vendin.
U ritheksua angazhimi i Qeverisë për të tërhequr investitorë që do të zhvillojnë kapacitete të reja energjetike që ofrojnë siguri të furnizimit.