Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje që nesër të votojnë Shaip Kamberin, në zgjedhjet e përsëritura parlamentare në njësinë numër gjashtë në Tërnoc.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë që vota për Shaip Kamberin dhe për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës është detyrë patriotike e secilës e secilit me të drejtë vote.
Kjo pasi sipas Kurtit, Serbia po tenton t’ua pamundësojnë shqiptarëve ta kenë zërin e tyre në Kuvend.“Është e domosdoshme që nesër, deri në mesditë, shqiptarët e Luginës, Tërnocit, t’i japin mesazh dhe mësim atyre që ushqejnë mosdurim ndaj faktorit shqiptar, duke i goditur përpjekjet e atyre që provuan ta ndalin zërin shqip në Beograd. Goditja fillon me votën e parë në hapje të vendvotimeve, duke arritur numrin e votave të nevojshme për Shaipin dhe përkrahjen për të. Vota për Shaip Kamberin dhe për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës nesër, është detyrë patriotike e secilës e secilit me të drejtë vote”.
“Shaipi është flamurtar në parlament e jashtë tij, për të treguar të vërtetën e për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në parlamentin e Serbisë dhe për t’u angazhuar kundër shtypjes së vazhdueshme nga pushteti i regjimit autokratik në Serbi”, ka shkruar Kurti.
Tutje Kurti bëri thirrje që që nesër, më 27 maj, “të përbashkoheni të gjithë ju më të drejtë vote në Tërnoc duke votuar Shaip Kamberin si zë i fuqishëm shqip e shqiptar, njerëzor e qytetar”.