I ftuar në një rrëfim të pazakontë në emisionin Çim Peka Live në Syri TV, strategu i fushatës elektorale të PD-së për zgjedhjet e 11 majit, Chris LaCivita, theksoi dallimet e mëdha mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Sipas LaCivitës, Berisha është një lider që nuk po garon për t’u bërë dikush, por për të realizuar një mision dhe për të bërë diçka për vendin, ndërsa Edi Rama ka një qasje të ndryshme ndaj politikës. Ai shtoi se shqiptarët, si dhe qeveritë e tjera, janë të vetëdijshëm për këtë dallim.
Chris LaCivita:
“Si fillim, nuk dua të them që nuk jam në gjendje të përgjigjem në diskutime ose të flas për mënyrën sesi ambasada ka zhvilluar punët e saj gjatë viteve të fundit. Kam dëgjuar disa gjëra, por ajo që unë di tani është se situata ka ndryshuar në SHBA, ka pasur ndryshime në administratë. Këto ndryshime fillojnë të reflektohen edhe në vende të ndryshme të botës. Ajo që më ka bërë përshtypje këtu në Shqipëri është se, pavarsisht faktit që ka pasur shumë forca kundër Berishës dhe opozitës, ata kanë vijuar të mbajnë rolin e tyre të rëndësishëm si parti opozitare dhe kanë ofruar një opsion tjetër qytetarëve. Nëse ka kaq shumë forca kundër teje dhe mund të ruash pasionin për vendin tënd, Berisha është një njeri shumë i përkushtuar ndaj popullit dhe qytetarëve. Ai nuk po garon për të qenë dikush, ai po garon për të bërë diçka. Ky është një dallim i madh midis tij dhe Edi Ramës. Mendoj se shqiptarët e shohin këtë dallim, dhe po ashtu edhe qeveritë e tjera.”