Lajme

Lajçi “godet” Haradinajn për vizat: Të gjithë jeni fajtorë, Kosovën e keni troshitë për xhepat tuaj, lëreni Albinin të …

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
4:56 / 26 June 2022

Aktori dhe shkrimtari Çun Lajçi, ka kritikuar ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, për mos liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ai ka thënë se Haradinaj po fajëson kryeministrin Albin Kurti, e jo “dorën dhe hajninë e vet”.

Sipas Lajçit, fajtor janë ata që punuan për pasurimin e xhepave të tyre dhe se Kurti nuk mund t’i mbulojë fajet e tyre.

“Nëse e doni atdheun, lëreni (Kurtin) t’shkojë deri n’fund, se gjithçka që asht e vjedhur, duhet t’i kthehet Kosovës!”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Lajçi ka përmendur edhe kryeministrin Edi Rama, duke ironizuar se ai e ka Kosovën “nën sqetull, pasi është i gjatë”.

Reagimi i Lajçit:

Gjithçka që asht e vjedhur, duhet t’i kthehet Kosovës!

“Dje ka ndodhë! Po! Liberalizimi ka ndodhë dje!”

Ishin fjalët e shejtanit a t’njeriut nuk di, por u folën nga pushtetari pak vite ma parë!

Ne heshtëm! Pritëm, e pritje mbetëm rrugëve me pasaporta n’duarr!

Befasia ishte, se nuk e mallkuam atë që tha: Liberalizimi ndodhi dje! S’e mallkuem se u friguem! Ne vetëm t’fortin e dimë për Zot!

Tani që nuk ndodhi, edhe ai shejtani u çua n’kambë e gjuejti gurë!

Fajtor je ti i tha Albinit! E shkretnove Kosoven! E fike popullin! Ti je shejtani qe duhet me t’shti n’gastare!

Tani, (si duket), asht tue kërkua nji grua t’bukur, me ia mbyllë grykën e Albini me mbetë n’shishe! Se vetëm gratë i dinë sherritë!

Po! Kosova asht mal përrallash! Por jo t’bukura!

Këtu, secili e thur gardhin e rrenave t’veta. E kositë livadhin, e merr barin e ikë! I han qershiat e ato që s’mund t’i mbërrijë i pë****!

Kosovës ia len fajin, jo dorës vet! Jo hajnisë vet! Jo kajtes vet!

Këtu vetëm rrenës i besohet! Vetëm budallës s’i kthehet fjala!

Kosova asht bashqe e besimtarëve t’rrenave t’veta.

Thashë! Thanë! Kanë thanë! U ba! Asht ba! Bahet! Besën e ke!

I kanë firmosë vet, edhe rrymën, edhe targat, edhe Ujmanin, edhe Gjykatën, edhe Asociacionin, edhe Çakorrin, e tani tallën me Albinin. Atij ia lanë fajin! Pse e firmose i thonë?

E ne?

Ne i besojmë Vuçiqit! Albini na del i pa Orë!

Rama na duket hoxhë (se jemi fetar t’fortë), madje ato kulet që i veshë nganëiherë, na duken çakshirët e Dedë Gjon Lulit e mjekrra e Ismail Qemajlit! Edhe nëse flet për qenin, duhemi me qeshë! Edhe nëse i del krah Serbisë, duhemi me i besua, se ai asht i gjatë e Kosovën e ka nën sqetull, si Kopiliqi kryet e vet!

Ore!

Ju të gjithë jeni fajtorë, se keni punua për një Marigonë, për nji Kullë, për një Hotel, për një pishinë, e Kosovën e keni troshitë për xhepat tuaj!

Albini s’mund tua mbuloi fajet! Nëse e doni atdheun, lëreni t’shkojë deri n’fund, se gjithçka që asht e vjedhur, duhet t’i kthehet Kosovës!