Lajme

Lajmet për arrestime të reja nga Specialja, Qeriqi: Ndërkombëtarët po ndërmarrin veprime politike

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:17 / 4 May 2022

Gjatë ditës së ndjeshme është raportuar se në ditët e ardhshme pritet që të arrestohen edhe 13 ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe pse janë dhënë paralajmërimet për arrestime të reja, emrat e atyre që mund të arrestohen ende nuk dihen. Edhe pse në vijë me këtë, është raportuar se udhëheqësit e institucioneve të Kosovës, si Kryeministri Albin Kurti, dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu janë të informuar për diçka të tillë.

Rreth këtyre paralajmërimeve, për lajmi.net, është prononcuar Xhevdet Qeriqi nga Shoqata e Invalidëve të Luftës.

Qeriqi, i pyetur se a mund të ketë arrestime të reja, tha se, ai nuk ka ndonjë informatë por se, sipas tij, gjithçka është e mundshme kur shihet intervistimet e shumta që janë bërë të luftëtarëve të UÇK-së.

“Po ne, në media i kemi pa që pritet arrestime të tjera. Nuk e di por derisa ka pas intervistime të shumta të luftëtarëve të UÇK-së gjithçka mundet me ndodhë. Ne nuk kemi ndonjë informatë, krejt ça kemi marrë e kemi marrë prej mediave, mirë po gjithçka mundet me ndodhë përderisa i kemi pa që këtyre viteve të fundit janë intervistuar shumë ish-eprorë e luftëtarë të UÇK-së nga Gjykata Speciale”, tha ai.

Sa i përket rolit të Speciale, ai shtoi se këto veprime që vijnë nga Specialja janë të padrejta, sepse UÇK-ja ka bërë luftë të pastër, ndërsa Serbia është ajo që ka kryer masakra të shumta ndaj popullatës shqiptare.

“Mendoj që janë përpjekje dhe veprime të padrejta, sepse ne kemi bë një luftë të drejt dhe të pastër çlirimtare për çlirimin e vendit tonë. Ndërsa armiku ka shkaktuar dëme të mëdha në vendin tonë, duke kryer masakra, qindra masakra nëpër Kosovë. Dhe fatkeqësisht, bashkësia ndërkombëtare nuk po merret me krimet që i ka kryer Serbia, edhe pse është në dijeni për ato që krime që i ka kryer. E në anën tjetër po bënë përpjekje të padrejta për t’i akuzuar luftëtarët e UÇK-së pa pas asnjë bazë vetëm përpjekje politike për të arrestuar dhe akuzuar luftëtarët”, vazhdoi Qeriqi.

Tutje, ai u shpreh se është e pamundur të bëhet diçka në raport me Gjykatën Speciale, sepse, siç tha ai,  uqitë e mëdha po i marrin këto veprime

“Kështu që për neve janë të papranueshme këto veprime që po bëhen sepse jemi të vetëdijshëm se kemi bë një luftë të drejt dhe të pastër. Por e kemi të pa mundur ta ndryshojmë sepse fuqitë e mëdha  po i marrin këto veprime të padrejta”, përfundoi Qeriqi.

Duhet cekur se, që nga themelimi i Gjykatës Speciale në vitin 2015, janë arrestuar disa ish-udhëheqës e ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Sali Mustafën, Nasim Haradinajn, Hysni Gucatin e Pjetër Shalën.

Po ashtu, kjo Gjykatë që nga fillimi është kritikuar vazhdimisht, ku përveç kritikave në lidhje me procedimin e rasteve që kjo i shqyrton, ka pasur zëra të cilët kanë kërkuar edhe zhbërjen e saj.