Filozofi dhe analisti Blerim Latifi nëpërmjet një postimi në Facebook ka komentuar vizitën e kancelarit gjerman Olaf Scholz në Ballkanin Perëndimor dhe raportet e ftohta midis liderëve kosovarë dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Latifi thotë se fakti që Scholz fillimisht u ndal në Kosovë e pastaj vazhdoi vizitën e tij në vende të tjera tregon se raporti Kosovë-Serbi është problemi kryesor i Ballkanit.
“Kancelari gjerman Olaf Scholz u ndal fillimisht në Prishtinë, pastaj shkoi në Beograd dhe në fund në Selanik për t’i takuar të gjithë liderët e Ballkanit. Mesazhi i këtij itinerari: problemi kryesor i Ballkanit perëndimor është raporti Kosovë-Serbi, e jo lehtësirat ndërkufitare për maunet e Ballkanit të Hapur.”, shprehet Latifi.
Më tutje, ai thotë se në tryezën e takimit të Selanikut u reflektua kjo, pasi përballë njëri-tjetrit nuk ishin Rama e Vuçiq, por Osmani dhe Vuçiq.
Ndërsa sipas tij, ftohtësia e marrëdhënieve midis Osmanit e Ramës flet sipas tij për “budallallëkun tradicional të shqiptarëve, i cili dallimet në pikëpamje gjithmonë i transformon në inate personale.”.
“Ky mesazh u reflektua edhe në tryezën e takimit të Selanikut. Aty përballë njëri-tjetrit nuk ishin Rama e Vuçiqi, por Vuçiqi dhe Vjosa Osmani. Ndërkaq, ftohtësia e neveritshme dhe hendeku mes Vjosa Osmanit dhe Edi Ramës në tryezë, flet mbi të gjitha për budallallëkun tradicional të shqiptarëve, i cili dallimet në pikëpamje gjithmonë i transformon në inate personale.”, ka shkruar Latifi.