Ish – këshilltari i ish – presidentit Hashim Thaçi dhe njëherësh profesori universitar, Blerim Latifi ka komentuar aksionin e sotëm të organizuar nga Policia e Kosovës ku u arrestuan mbi 40 zyrtarë policor përfshirë edhe komandant të pikave doganore.
Latifi ka thënë se qeveria Kurti ka shumë gjëra që nuk i ka bërë mirë, por njëkohësisht ai është duke bërë një punë të mirë lidhur me luftën kundër krimit të organizuar, punë të cilën qeveritë e kaluar nuk e kanë bërë dhe se për këtë qeverisë së Kurtit duhet t’i njihen meritat.
“Ne mund ta kritikojmë qeverinë e Kurtit për shumë gjëra që i ka bërë keq gjatë një viti, por njëkohësisht duhet t’ia njohim meritën se në luftën kundër krimit të organizuar brenda dhe jashtë strukturave shtetërore, është duke bërë një punë që se ka bërë asnjë qeveri më parë”, ka shkruar Latifi në Facebook.
Tutje Latifi ka thënë se nëse duam të kemi një shtet ashtu siç duhet të gjithë ata që janë pjesë e krimeve të organizuara duhet të përfundojnë në burg.
“Kush e vjedh shtetin duhet me përfundu në Dyz dhe Dubravë! S’ka formulë tjetër nëse duam që përnjëmend me pasë shtet”, ka shkruar ndër të tjera Latifi.