Lajme

Lekaj: Qytetarët do ta kuptojnë sa peshon Kurti, 60% nga totali i zgjedhjeve të fundit Vetëvendosje ka rënie në votë

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
9:57 / 23 March 2022

“E dështuar, e paaftë, e stagnuar”, këto ishin vetëm disa nga epitetet e shumta të cilat mori Qeveria Kurti në 1 vjetorin e saj pikërisht nga liderët e opozitës.

Dje kur edhe zyrtarisht u shënua një vit që nga koha kur në Kuvendin e Kosovës ishte votuar përbërja e Qeverisë Kurti II, shumë kritika u vunë përballë Albin Kurtit si kryeministër dhe ministrave të kabinetit të tij.

Lidhur me një vit qeverisje të Kurtit, lajmi.net ka kontaktuar deputetin e AAK-së, Pal Lekaj.

Lekaj theksoi se Kosova ndryshoi për të keq qysh nga ardhja në krye të shtetit e Qeverisë Kurti, e cila sipas tij kishte më shumë fjalime poetike e demagogji sesa përkushtim, punë e rezultate.

E shumë prej arsyeve që quan në këtë përfundim sipas Lekajt janë ato që prekën drejtpërdrejt qytetarët.

Në mesin e tyre sipas tij ishte dështimi në politikën e jashtme, në sektorin e sigurisë e që vazhdimisht thuhet të ketë qenë Qeveri që ka rrezikuar marrëdhëniet me partnerët e Kosovës, në veçanti me Amerikën.

“Qeveri e paaftë dhe e dështuar në politikën e jashtme dhe sektorin e Sigurisë, e cila vazhdimisht ka rrezikuar seriozisht marrëdhëniet me partnerët strategjike të Kosovës, në veçanti me SHBA. Për më keq ky dikaster ka pasur vetëm skandale dhe 0 njohje për 1 vit. Varfërimi i shportës familjare ku kemi ngritjen e të gjitha çmimeve për artikujt bazë, siç është mielli dhe buka, vaji, mishi, energjia elektrike, derivatet, hekuri dhe të gjitha produktet e tjera që e bllokuan ciklin ekonomik të jetës.”, deklaroi Lekaj.

Sipas ish-ministrit Lekaj, ndërprerja e projekteve strategjike me rëndësi shtetërore, siç ishte investimi 1.3 miliradë euro në energji nga “Contour Global” si dhe tërheqja e ndihmës nga Sfidat e Mijëvjeçarit të Amerikës që kap shumën prej 200 milionë dollarëve, e dëmtuan shumë vendin.

“Mosrealizimi i Ligjit të Pagave ku po vazhdojnë të ndëshkohen personeli shëndetësor, arsimor, policët, zjarrfikësit dhe të gjithë sektorët e tjerë. Dobësimi i sovranitetit shtetëror përballë Serbisë specifikisht kriza në veri për disa javë rresht dhe çalimi i dialogut duke e larguar Amerikën si partner strategjik në tavolinën e dialogut. Shkarkimet e të gjitha bordeve dhe zëvendësimi i tyre me militant politikë, të cilët nuk dhanë asnjë rezultat me asnjë veprim qysh nga emërimet e tyre.”, shtoi Pal Lekaj.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, tha se një prej arsyeve tjera që e bëri një vjeçarin e Kurtit të dështuar ishte dëmtimi i prodhimeve duke hapur tregun e Kosovës ndaj mallrave serbe që bëjnë konkurrencë të pandershme.

“E veçanërisht moskrijimi i kushteve që në Kosovë të vijnë investitorët e huaj për investime. Mosrritja e pagës minimale dhe mos krijimi i kushteve më të mira për sektorin privat. Mungesa e dorës së shtetit në këtë periudhë të pandemisë dhe në krizën e rritjes së çmimeve, duke mos sjellur asnjë pako ekonomike të plotë që i del në ndihmë pensionistëve, grave, fëmijëve, familjeve me kushte të rënda sociale”, deklaroi Lekaj.

Sipas tij në rast të një raundi të ri të zgjedhjeve në vend, Lekaj tha se qytetarët do ta kuptojnë shpejt se sa peshon Albin Kurti, çfarë vlere ka dhe a di të drejtojë shtetin.

“Sa i përket zgjedhjeve, mendoj që vetëm koha e zbulon se sa e dobët është Qeveria Kurti, prandaj sa më shumë kohë në pushtet qytetarët do të kuptojnë sa peshon Albin Kurti, çfarë vlera ka dhe a di të udhëheqë shtet. Për momentin mendojë që 50-60% nga totali i zgjedhjeve të fundit është rënia e Vetëvendosjes në votë, dhe kuptohet sa më shumë kohë aq më e madhe do të jetë rënia.”, përfundoi Lekaj.