Lajme

Lushtaku propozon bllok politik me Limajn dhe Haradinajn kundër VV-s

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
1:03 / 18 April 2026

Deputeti i PDK-së: Ka vullnet për bashkim të forcave politike për ndryshim të balancës.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka propozuar krijimin e një blloku politik me Fatmir Limajn dhe Ramush Haradinajn, me qëllim ndryshimin e balancës politike në vend.

Në emisionin “Blic Interview” me Astrit Gashin, Lushtaku tha se një bashkim i tillë do të mund të krijonte një alternativë më të fuqishme përballë Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të saj partnere.

“Unë besoj se duhet të bëhen blloqe politike që e ndryshojnë spektrin politik dhe fuqinë e madhe që ka për momentin Vetëvendosja bashkë me GUXO dhe Alternativa”, ka deklaruar ai.

Lushtaku theksoi se ky është qëndrim i tij personal dhe jo i Kryesisë së PDK-së, por shtoi se sheh hapësirë për afrim me partitë që kanë përafrim në parime dhe vlera.

Ai gjithashtu paralajmëroi rrezikun, sipas tij, të krijimit të një “shteti autoritar”, duke kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe qeverisjen aktuale.

Sipas Lushtakut, ekziston vullnet sidomos tek gjenerata e re e politikanëve për të tejkaluar ndasitë politike dhe për t’u bashkuar rreth një qëllimi të përbashkët.

“Duhet t’i lëmë anash ndasitë tona dhe të bëhemi bashkë që të mos lejojmë që një parti e vetme të vendosë për gjithçka”, ka shtuar ai.

Ai theksoi gjithashtu nevojën për ndryshim në komunikimin politik dhe mundësinë e bashkëpunimeve më të thella, madje edhe përtej koalicioneve parazgjedhore.

Megjithatë, Lushtaku bëri të ditur se deri më tani nuk ka pasur bisedime konkrete me Haradinajn, përveç diskutimeve joformale gjatë takimeve në Kuvend.