Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi në ditën e Evropës ka thënë se Kosova mbetet vendi i vetëm i izoluar si pasojë e mos veprimit të institucioneve të BE, si pasojë e mos liberalizimit të vizave.
Sipas tij, BE po vonohet karshi Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Reagimi i plotë:
Dinjiteti njerëzor, Liria dhe Barazia janë tri prej vlerave kryesore që qëndrojnë në themelet e Bashkimit Evropian si konstruksion politik, ekonomik e shoqëror. Sot, me 9 maj, Ditën e Evropës, ripërsëritim edhe një herë qëndrimin, synimin dhe vizionin e palëkundur të Kosovës për të përqafuar e përbrendësuar këto vlera.
Në të njëjtën kohë, sot, ashtu siç kemi kërkuar shumëherë viteve të fundit, kërkojmë nga Bashkimi Evropian që të respektoj posaçërisht këto tri vlera karshi qytetarëve të Kosovës: dinjitetin njerëzor të qytetarëve tanë të izoluar, lirinë e mohuar drejt perëndimit dhe barazinë me qytetarët evropian, e cila po vazhdon të na mungoj.
Kosova është sot shteti i vetëm i izoluar në Evropë, pa liri të lëvizjes, përkundër plotësimit të kushteve për lëvizje të lirë vite më parë. BE po vonohet, padrejtësisht, karshi Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Prandaj, çdo ditë, e posaçërisht sot, Bashkimi Evropian duhet të kthejë sytë edhe nga Kosova dhe kosovarët, populli më pro-evropian në Ballkan, dhe të hapë dyert për ne.