Pasi mediat sllovene shpërfaqën skandalin financiar ku përmendet edhe emri i ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Osmani i dolën në mbrojtje këtij të fundit. Ata thanë se ambasadori do ta padisë median për shpifje dhe do të presin organet e drejtësisë.
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në një përgjigje për Gazetën Express tha se afera në të cilën po dyshohet se është i përfshirë ambasadori Berishaj është e rëndë dhe e dëmshme për Kosovën pavarësisht se si do të përfundojë në fund.
Sipas Mustafës sjellja e kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani dje është edhe më e rëndë dhe e papërgjegjshme pasi në punët e shtetit nuk i besohet askujt por vetëm ligjit.
“Afera është shumë e rëndë dhe e dëmshme për Kosovën, pavarësisht epilogut të saj. Aq më e rëndë dhe e papërgjegjshme është sjellja e Presidentes dhe e Kryeministrit ndaj kësaj afere. Nuk veprojnë ashtu krerët e shtetit. Ata nuk janë aty për të besuar apo për të mos besuar, nuk janë në institucione religjioze, por janë në krye të shtetit dhe e kanë për obligim ta sqarojnë problemin para qyterarëve. Ia kanë borxh edhe Kroacisë.Në punët e shtetit, nuk i besohet askujt. Vetëm ligjit, i mirë apo i keq qoftë”, tha Mustafa.
Ish-kryetari i Prishtinës, kujtoi kohën kur Vetëvendosje mori pushtetit në Prishtinë dhe e kanë akuzuar për 72 dosje pa asnjë argument.
“Kryeministri dhe Presidentja karrierën e tyre nuk e kanë krijuar duke besuar në njerëz, por duke akuzuar njerëz për krim, korrupsion dhe për çdo gjë që u ka rënë ndërmend. Kështu kanë ardhur në pushtet. Jo me fakte të verifikuara nga drejtësia, por me akuza politike. Me plot gënjeshtra. Janë këta të VV-së që më akuzojshin për 72 dosje të Komunës së Prishtinës, pa asnjë argumet. Mos t’ua numroj…”, u shpreh Mustafa.
Ai uroi që afera të mos jetë e vërtetë por që nëse dëshmohet e kundërta krerët shtetërorë të Kosovës duhet ta bartin përgjegjësinë.
“Tani duke u nisur nga gënjeshtrat e tyre, mendojnë se do duhej të gënjejnë edhe të tjerët. Unë uroj që kjo aferë të mos jetë e vërtetë. Por nëse dëshmohet, përgjegjësinë do duhet të bartin edhe liderët shtetërorë”, tha ai.
Duke folur për insistimin e opozitës pas skandalit të ambasadorit që të formohet Komisioni Hetimor parlamentar për energjinë, Mustafa tha se shitblerjes së energjisë nga ana e qeverisë nuk i del në krye vetëm një komision parlamentar por duhet të nisin punën institucionet që e kanë për obligim zbatimin e ligjit.
“Ajo çfarë po del në pah nga mediat me shitblerjen e energjisë, mendoj se nuk është punë që i del në krye vetëm një komision parlamentar. Është punë e institucioneve të cilat e kanë për obligim zbatimin e ligjit. Ta bëjnë punën e vet, të mos frikësohen nga trysnia që po ua bënë pushteti. As nga paralajmërimi i taskforcave personale qeveritare si organe paralele të pushtetit karshi institucioneve të drejtësisë”, tha ish-kryetari i LDK-së.