Finlanda dhe Suedia së shpejti mund t’i bashkohen NATO-s, lëvizje që me shumë mundësi do ta zemërojë Moskën. Por zyrtarët e NATO-s thonë se kjo do ta vinte në theks gabimin strategjik të Rusisë në pushtimin e Ukrainës, raporton CNN.
Zyrtarët e NATO-s kanë thënë se diskutimet në aleancë për anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë janë bërë jashtëzakonisht serioze që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit të SHBA-së kanë thënë se një çështje e tillë u diskutua edhe në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s gjatë kësaj jave, ku morën pjesë edhe ministrat e Helsinkit e Stokholmit.
Zyrtarët kanë thënë se pushtimi nga Vladimir Putini ka shërbyer vetëm për rigjallërimin dhe unifikimin e NATO-s, saktësisht e kundërta e qëllimeve të deklaruara të Putinit përpara fillimit të luftës. Presidenti rus kishte kërkuar që NATO-ja ta ndalonte zgjerimin në lindje dhe pranimin e anëtarëve të rinj, duke akuzuar bllokun për kërcënim të sigurisë ruse. Në vend të kësaj, NATO-ja ka rritur mbështetjen e saj për Ukrainën dhe po përgatitet të mirëpresë anëtarët e rinj.