Lajme

Një histori vrasjesh, kërcënimesh me bomba e automatik ndaj “Bota sot” – 27 Vjet beteja me krimin politik!

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
12:54 / 26 June 2022

27 Vjet më parë u dha një ide për krijimin e një mediumi të përditshëm të pavarur në gjuhën shqipe. Shqiptarët kishin një komunikim të mangët, për shkak të okupimit klasik nga Serbia, që kishte mbyllur jo vetëm mediat, por edhe dëbuar mjekët shqiptarë nga spitalet, punëtorët nga fabrikat, kishte mbyllur universitetin për shqiptarët etj., dhe po ashtu edhe mediat si Radiotelevizionin e Prishtinës. Në Kosovë në vitin 1995 vazhdonte të dilte “Bujku”, emri i ndryshuar i “Rilindjes”, por të cilin emër e ruante në botimet si në Shqipëri e Zvicër.

Por, ky komunikim i mangët, bëhej edhe më i tkurru sepse ishte kryesisht zyrtar, pavarësisht që kishte rënë komunizmi, shqiptarët në Kosovë nuk kishin një aparat shtetëror që mund të determinonte sjelljen apo edhe më keq ta ndëshkonte atë, vetë dalja nga një sistem monist, e kishte bërë të veten, dhe konformizmi e autocensura ishin kthyer në pengesa.

Përpjekjet

Kështu që i duhej një dritare shqiptarëve, ku thyhej edhe më censura për lirinë, për dashurinë për atdheun, shprehjen e lirë, do të mund të thuheshin hapur.

Një ndërmarrje e tillë nuk ishte e lehtë. Shqiptarët nuk kishin traditë të mjaftueshme në shtypin e lirë, dhe më keq akoma nuk kishin pasur një të përditshme të pavarur që mund të mbulonte gjeografinë europiane në vendet ku dominonte shtrirja e shqiptarëve, gjithnjë e në rritje.

Image

Përtej Zvicrës, ku do të niste, “Bota sot” me 26 qershor 1995 në Cyrih, kjo media e re duhej të mbulonte gjithsesi në masën më të madhe Gjermaninë, Francën, Italinë, Belgjikën e kështu me radhë, brenda një viti edhe SHBA-të dhe vendet tjera europiane.

Intelektualët e shquar, publicistë e shkrimtar si Teki Dervishi do të ishin në ballë të saj në përkrahje të idesë së botuesit Xhevdet Mazrekaj. Vetëm në Kosovë nuk do të mund të dilte, një media e tillë, pavarësisht që këtu do ta kishim një redaksi.

Pas një viti të vështirë, me shumë sakrifica dhe ku i ishte afruar pragut të ekzistencës financiare, pasi për ata që nuk dinë botimi i një media të shtypur, pa fitime, ka shpenzime tepër të mëdha ditore dhe mujore, gazeta arriti të kthehej në frymën shqiptare. Jo vetëm në leximin e saj, por edhe të bëhej qendër referimi për zhvillimet politike dhe mendimin politik shqiptar. Një debat i përhershëm në aktivitete, ndeja familjare dhe më gjerë.

Brenda pak kohe tirazhet e “Bota sot”, arrinin në një 100 mijë copë në dite, duke thyer të gjitha rekordet.

Në kohë lufte, në muajt kulminant, të vitit 1999, i gjithë tirazhi përpihej që në mëngjes, kudo! Raportet për luftën ishin nga më origjinalet, ishim thuaja mediumi i vetëm që raportonim më drejt nga beteja e Koshares dhe në vazhdimësi për luftën që bënin forcat e UÇK-së që udhëhiqeshin nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës. Po në këtë kohë filluam të raportonim për vrasjet politike.

Pa dyshim që momenti më i rëndë tragjik, në punën e redaksisë aso kohe, ishte vrasje e bashkëpunëtorit tonë Enver Malokut (1954-1999), më 11 janar të vitit 1999!

Image

Vrasja e ministrit Ahmet Krasniqi më parë, vrasja e Enverit, dhe një varg atentatesh përfshirë kërcënimet me jetë ndaj presidentit Rugova, ishin ngjarje që ndikuan edhe në fizionominë politike që do të ndiqte gazeta. Këto raste tragjike për shqiptarët, do të ktheheshin në një udhërrëfyes redaksional, duke i vënë në thumb të kritikave, organizatorët e këtyre vrasjeve politike, të cilat pas luftës morën një hov të frikshëm.

Aq sa kur filloi të botohej gazeta ‘Bota sot” në Kosovë, në gusht të vitit 1999, kishte tentativa të vazhdueshme për ta ndalur, qoftë për shkak të mbështetjes së ideve dhe veprimeve paqësore politike të Rugovës, qoftë për shkak të shkrimeve që denonconin krimin politik.

Kërcënime dhe vrasje

Kjo betejë do të vazhdonte thuajse pa ndërprerë. Në vitin 2000 do të vritej edhe bashkëpunëtori tjetër i “Bota sot”, Xhemail Mustafa (1953-2000), me 23 nëntor, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të para lokale të lira, ku LDK-ja dhe Rugova fituan bindshëm me mbi 56 %. “Bota sot” ishte thuaja mediumi i vetëm që raportonte thuaja për çdo fushatë të rëndësishme të LDK-së dhe Rugovës. Mediumet tjera thuajse e linin në terr informativ, ndërsa Komisioni ndërkombëtar i mediave kishte vendosur një standard diskriminues, që edhe partitë minore, që nuk arrinin as 1 % të votave, t’ju jepej hapësirë e barabartë me LDK-në, që padyshim, se kishte një mbështetje mbi 65% të votuesve, aq sa edhe Rugova e kishte deklaruar si shifër jo zyrtare, për zgjedhjet e para.

Image

Kërcënimet do të ishin të furishme pas luftës. Si ndaj Teki Dervishit, drejtor i gazetës, kryeredaktorit Skender Buçpapaj, dhe bashkëshortes së tij, kolumniste Elida Buçpapaj.

Kërcënimet me vrasje, tentim kidnapime nuk do të ndaleshin, si përpjekja për ta nxjerrë me forcë apo rrëmbyer gazetarin Idriz Morina, nga konferenca për shtyp e PDK-së në selinë e saj pas humbjes së zgjedhjeve lokale të vitit 2000, vetëm pak javë më pas vritet Xhema, pasi muaj më parë edhe ai, edhe Shefki Uka – redaktor në “Bota sot”, ishin shpallur të vdekur, një sulm me bombë (e pashpërthyer) më vonë në shtëpinë e Rexhep Kastratit, sulm me bombë me shpërthim në shtëpinë e korrespodentit nga Dragashi Muharrem Qafleshi, kërkimi me automatik me shkorpion nga tre veta i gazetarit Idriz Morina në vitin 2001, kërcënimet me jetë ndaj Bardhyl Ajetit, Bekim Kastratit, dhe vrasja më pas e Bekimit, në atentatin e 19 tetorit të vitit 2001.

Në vitin 2002, një dërgues i panjohur dërgoi një bombë të lidhur me një shishe verë “Chamonix 1998 Chenin blanc” në redaksinë e gazetës “Bota sot” në Cyrih të Zvicrës. Në vitin 2017 dërguesi Jeton Lleshi u dënua me 10 vjet burg nga drejtësia zvicerane. I vetmi rast i ndëshkuar, por kjo falë drejtësisë zvicerane, ndërsa në Kosovë, as për vrasjet e përmendura, as për kërcënimet e asaj kohe, dhe për të gjitha ato që kanë ndodhur deri më sot, nuk është dënuar askush.

Image

Bardhyl Ajeti do të qëllohej në një atentat të organizuar, me 3 qershor të vitit 2005, derisa po kthehej nga Prishtina në shtëpi në Gjilan, ndërsa do të ndërronte jetë pas tri jave, me 25 qershor.

Në vitin 2006 do të vendosej një granatë dore afër redaksisë. E gjithë redaksia mbeti e mbyllur, derisa forcat e deminimit nga KFOR-i e hoqën ata nga aty.

Sulmet dhe kërcënimet nuk do të ndaleshin, varësisht prej dinamikës së zhvillimit të ngjarjeve në Kosovë. Ato do të riktheheshin mjaft intensivisht pas vitit 2012. Kështu një kërcënim nga më të egrit të bërë publik ishte ai i vitit 2014, kur kryeredaktori Idriz Morina do të kërcënohej me vrasje të tërë familjes, dhunim e zhdukje kufomash, si dhe editori i “Bota sot” me vdekje. Për këtë rast, nga të paktat herë, policia e kishte arrestuar kërcënuesin, që pas disa orësh e kishte liruar.

Image

Kërcënimet do të vazhdonin me jetë edhe më pas në 2014 e 2015, dhe në vitet në vazhdim, ndaj Idriz Morinës, botuesit Xhevdet Mazrekaj, e gazetarëve si Nehat Shaqiri, Mimoza Laknës etj.

Këto kërcënime do të rikthehen po me impulse të fuqishme ndaj kryeredaktorit Idriz Morina për shkrimet e faktuara për vrasjet politike, nga viti 2021, dhe sërish këtë vit, ndaj botuesit Mazrekaj dhe kryeredaktorit Morina.

Këto janë vetëm disa nga qindra kërcënimet që kanë ndodhur, edhe ndaj të përmendurve në këtë tekst, por edhe ndaj shumë anëtarëve të tjerë të stafit, kryesisht me telefon dhe mesazhe.

Historia e botimit të “Bota sot”, është njëra nga historitë më të trishta që mund të ketë përjetuar ndonjë medium i lirë shqiptar, e mbase edhe në rajon!

Redaksia e “Bota sot”