Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendos se kërkesa e PDK-së nuk ka bazë ligjore.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për zgjedhjet lokale në Mitrovicën e Jugut, përmes së cilës partia kërkonte që kjo komunë të dërgohej në rivotim.
Sipas vendimit të PZAP-së, ankesa e PDK-së është e pabazuar. “REFUZOHET e pabazuar ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës, me seli në Prishtinë, me të cilën ka kërkuar që të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), që brenda afatit të caktuar ligjor, të përsërisë procesin zgjedhor në Komunën e Mitrovicës së Jugut, duke kryer rivotim në përputhje me ligjin dhe rregulloret përkatëse”, thuhet në vendim.
Ky vendim e mbyll çështjen e kërkesës për rivotim në këtë komunë, duke konfirmuar vlefshmërinë e rezultateve zgjedhore.