Që një kohë është duke u organizuar një fushatë kundër produkteve serbe. Madje në krye të saj është Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në Kosovë. E një grup tjetër në Facebook, që mban emrin “Mos bli prodhime serbe”, ka mbi 101 mijë anëtarë. Por përsëri nga Serbia për në Kosovë janë importuar 370 milionë euro mallra të ndryshme gjatë vitin 2022.
Përkundër fushatës së LVV-së dhe grupit me mbi 101 mijë anëtarë, kosovarët vazhdojnë të konsumojnë shumë, tepër shumë, produkte serbe. Një pyetje themelore që duhet shtruar këtu është e thjeshtë: a po hajmë tinëz plazma serbe?
“Plazma keksi” është një nga produktet gjërësisht të konsumuara në Kosovë, përkundër fushatës për të bojkotuar atë. Fuqia ngashjyese e shija joshëse për klientët e shumtë të plazmës, duket të jetë më e madhe e më e fortë se krejt fushata kundër saj. Në fakt, biskota “Plazma” është veç një simbolikë që përfaqëson gjithëpranueshmërinë e mallrave serbe në konsumin ditor të kosovarëve.
Në grupin “Mos bli prodhime serbe”, tregohen edhe arsyet se pse nuk duhet të konsumohen produkte të Serbisë.
“Serbia vazhdimisht po e kërcënon sigurinë e Kosovës, ajo me paratë e fituara nga shitja e prodhimeve të veta në Kosovë po i mban strukturat paralele Serbe në Kosovë dhe po armatoset me shpresën se një ditë ushtria Serbe do të kthehet në Kosovë!
Sot nuk ka patriotizëm me të madh se në mënyrë paqësore me i dal zot vendit duke mos ble asgjë të prodhuar në Serbi!
Dikush e sakrifikoj gjakun për Kosovë e për ne kërkohet të saktifilkojmë paratë!
Nuk shitet Kosova për 10 cent më lirë!” – shkruhet në grupin me mbi 101 mijë anëtarë.
Ndryshe, siç shkroi ditë më parë Nacionale, një ngjarje e “pazakontë” ka ngjarë në Prishtinë. Lëvizja Vetëvendosje, partia më e madhe në Kosovë dhe udhëheqësja me Qeverinë e Kosovës, ka dalë në rrugë.
Por kësaj radhe jo për të protestuar, por për të mbajtur një fushatë sensibilizuese kundër produkteve serbe. Caku i “fushatës” ishin qytetarët e Prishtinës, e të cilën nismë e materializoi Qendra e LVV-së në Prishtinë.
“Asnjë cent Serbisë kriminale” – ishte titulli i fuqishëm i postimit, ku njoftohej se Rinia e Lëvizjes ka filluar një fushatë sensibilizuese për bojkotimin e produkteve të shtetit serb.
“Duke bojkotuar produktet serbe, ne ndalim financimin ndaj vendit që edhe 23 vite pas luftës, nuk ka kërkuar falje për krimet, shkatërrimet, vrasjet e masakrat e kryera mbi popullaten civile në Kosovë.” – thuhej në postim, ndër të tjera.
E njëjta fushatë ka vazhduar edhe në shumë qytete të Kosovës, përfshirë lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut. Nuk dihet realisht se cili është ndikimi i krejt kësaj nisme, pasi që Dogana e Kosovës ka treguar shifrën marramendëse të importin nga Serbia.
Çka tha Dogana?
Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, sot gjatë një prezantimi ka treguar se sa është importi nga Serbia.
Llugaliu deklaroi se gjatë vitit të kaluar Dogana e Kosovës ka pasur rritje të të hyrave dhe se Turqia është vendi që Kosova ka import më të madh, ndonëse shtoi se importi nga Serbia ka arritur vlerën e 370 milionë euro.
“Performanca e të hyrave varet nga shumë faktor, natyrisht që është edhe inflacioni. Turqia është dukshëm vendi që importojmë më shumë. Sa i përket importit nga Serbia mbi kemi pasur 370 milionë euro.” – tha ndër të tjera ai.