Lajme

“Nxjerrja e hipokrizisë nuk mjafton” Molliqaj i ashpër me Kurtin: Nuk ka mandat për të bërë marrëveshje që ndajnë Kosovën

Ministrja Hajdari deklarohet për aksidentin e sotëm: Një fëmijë u përplas në veturën time
2:04 / 27 June 2022

Dardan Molliqaj nga radhët e PSD-së, ka thënë se kryeministri i vendit Albin Kurti, nuk ka mandat për të bërë marrëveshje që ndajnë Kosovën, shkruan GazetaBlic.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar ashpër Kurtin, duke thënë se në vitin 2015 ai kishte nënshkruar peticionin për të kundërshtuar 4 marrëveshjet e arritura me Serbinë: Asociacioni i komunave me shumicë serbe, barrikadimin në urën e Ibrit në Mitrovicë, kodin telefonik shtetëror si dhe marrëveshjen e energjisë.

Sipas tij, “Çfarëdo marrëveshje e pjesshme nuk çon tek marrëveshja përfundimtare; çfarëdo marrëveshje e pjesshme nuk mund të sjell paqe të përhershme në mes të dy vendeve. Prandaj, pos që janë gabim, janë edhe të dëmshme dhe të rrezikshme”

Shkrimi i plotë i tij:

Peticioni i heshtur i nënshkruar 200.000 herë
Mbani mend peticionin më të madh në Kosovë që ka ndodhur ndonjëherë? Sigurisht që po. Ti që sot po e sheh këtë peticion, që e kemi risjellur në formë aksioni, të kujtohet vetja duke e nënshkruar.

Në vitin 2015, u mblodhën mbi 200,000 nënshkrime për të kundërshtuar 4 marrëveshjet e arritura me Serbinë: Asociacioni i komunave me shumicë serbe, barrikadimin në urën e Ibrit në Mitrovicë, kodin telefonik shtetëror si dhe marrëveshjen e energjisë.
Aty shkruhej qartë: “Këto marrëveshje nuk i përfaqësojnë interesat e qytetarëve të Kosovës…”, “Qytetarët e Kosovës nuk ia kanë dhënë mandatin Qeverisë së Kosovës që të pranojë marrëveshje të tilla”.

Ky vullnet politik dikur ishte edhe i Kurtit. Vërtetohet lehtë; në këtë peticion ka nënshkruar me dorën e vet. Sot, ky vullnet është zhvendosur. Paradigma e mëhershme e dialogut Kosovë-Serbi është pranuar në tërësinë e saj. Marrëveshja e dëmshme për energjinë u nënshkrua. Ajo është problematike për dy arsye: Së pari sepse ka hapur rrugën që veriu i Kosovës të trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër e Kosovës, dhe së dyti kjo marrëveshje është sinjal i qartë që edhe marrëveshjet e tjera do të pranohen, duke përfshirë edhe atë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Nxjerrja e hipokrizisë nuk mjafton. Kritika e jonë është ndaj dëmit që kjo qeveri po sjell. Me pranimin e kornizës së vjetër të dialogut, e për pasojë edhe të marrëveshjeve të arritura, Kosova po ndahet në vija etnike, duke përjetësuar konflikt e konservuar ndarje. Kjo kornizë nuk ka sjell marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse sepse fokusin e ka pasur partikular e të pjesshëm. Dhe në këtë kohë, marrëveshja përfundimtare që sjell paqen e përhershme në mes të dy vendeve është më e nevojshme se kurrë.

Kurti dhe qeverisja e tij nuk kanë mandat për të bërë marrëveshje që ndajnë Kosovën. Çfarëdo marrëveshje e pjesshme nuk çon tek marrëveshja përfundimtare; çfarëdo marrëveshje e pjesshme nuk mund të sjell paqe të përhershme në mes të dy vendeve. Prandaj, pos që janë gabim, janë edhe të dëmshme dhe të rrezikshme.